
3 shtëpi janë djegur pasi një zjarr i madh ka rënë në fshatin Livinë të Sarandës.
Kristo Kiço, nënprefekt i qarkut të Vlorës tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se flakët kanë rrethuar të gjithë fshatin dhe se situata është e rrezikshme për shkak të erës që po fryn në zonë dhe po favorizon përhapjen e flakëve.
Kristo tha se përveç forcave zjarrfikëse nga Finiqi, Dropulli, Saranda në Livinë ka mbërritur dhe një helikopter që shuarjen e flakëve.
Zjarri ka rrethuar komplet fshatin. Kanë ardhur forcat zjarrfikëse të bashkisë së Finiqit, Dropullit, Delvinës, Konispolit dhe Sarandës. Sapo ka mbërritur helikopteri, situata është e ështirë për shkak të motit. Era po favorizon flakët.
Rrezikohen shumë shtëpi, pasi zjarri është futur nga ana jugore dhe ana perëndimore. Deri tani janë prekur 3 shtëpi dhe zjarrfikësit po përpiqen për të shpëtuar pjesën tjetër të shtëpive. Banorët janë evakuuar. Kanë ardhur dhe ambulanca nga spitali i Sarandës për të dhënë ndihmën e duhur në çdo moment.
Sapo erdhi helikopteri dhe ka filluar të hedhë ujë. Bashkë me prefekturën kemi qenë në kontakt me forcat që kanë ardhur. Fryn një erë që nuk ndihmon fare në fikjen e zjarrit. Është e rrezikshme situata. Po digjen, ullinjtë, pemët frutore.
Ka shumë ullinj të cilët janë djegur, po janë me qindra pemë që janë djegur pasi është një sipërfaqe e madhe.
Rreziku është i Livinës pasi ka shumë bimësi dhe zjarri merr lehtësisht, por besoj që edhe me ndihmën e helikopterit besoj se do vendosim nën kontroll situatën shumë shpejt.



