
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim është takuar sot me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela.
Në takim u ndanë konsiderata reciproke për bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe rolin të Shteteve të Bashkuara në procesin reformues në këtë fushë.
Fokus i veçantë gjatë këtij takimi i’u dha jo vetëm ecurisë së reformës në drejtësi në përgjithësi, por dhe masave konkrete institucionale që Prokuroria e Përgjithshme planifikon të ndërmarrë me qëllim forcimin e zbatimit të legjislacionit penal në Shqipëri.
Në këtë drejtim Prokurori i Përgjithshëm z.Çela, e vlerësoi mjaft të rëndësishme që për arritjen e objektivave të mësipërme, është thelbësor kontributi dhe ndihma e partnerëve tanë ndërkombëtarë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe programeve të tyre të asistencën teknike me përvojë të gjatë e të suksesshme në Shqipëri.
Ambasada e SHBA Kim ka nxitur kryeprokurorin dhe prokurorët e tjerë që të përmbushin premtimin e një gjyqësori të pavarur me drejtësi për të gjithë.
“Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim e uroi Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela për zgjedhjen e tij së fundi në detyrën e re dhe premtoi ndihmë teknike të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, për të ndihmuar Shqipërinë në vijimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ambasadorja Kim nxiti prokurorët që, ndërsa përmbushin premtimin e një gjyqësori të pavarur me drejtësi për të gjithë, t’i përqasen punës me mendësinë e shërbimit publik, integritetit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.



