Një ndër pikat e rëndësishme sot në rendin e ditës në seancën e Kuvendit, ishte njoftimi i kërkesës së PS për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Kreut të Shtetit, pasi sipas socialistëve, Presidenti Ilir Meta ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore të 25 prillit.
Në fjalën e tij, kreu i GP të PS, Taulant Balla, tha se nevoja për një nismë të tillë të hetimit të presidentit Ilir Meta, dhe për rrjedhojë, largimi i tij nga ky institucion, është mëse i domosdoshëm, meqë thirrjet e tij për dhunë kanë çuar në veprime kriminale, para procesit zgjedhor në zgjedhjet e 25 prillit në vend.
Balla e cilësoj në mënyrë figurative faktin se Meta e ka përdhunuar institucionin e presidentit, ndërsa shtoi se domosdoshmëria e shkarkimit është e argumentuar.
““Nuk dua të flas për procedurën e shkarkimit të Presidentit. Por dua t’ju them që unë vlerësoj që është në dinjitetin institucional të këtij Parlamenti që e mbyll mandatin në 9 shtator, unë t’ju them që në respekt të këtij dinjiteti institucional ne respektojmë vullnetin masiv të qytetarëve, tek demokratët e thjeshtë të këtij vendi që janë ndier më të fyer sesa ne që në krye të atij vendi vetëm President s’ka qenë. Në kërkesën e firmosur nga 50 deputetë ndodhen të gjitha argumentet. Nëse shkarkimi është për të kapur institucionin e presidentit, e kanë gabim. Jam ndier po aq i fyer që vetëm presidenti nuk e ka bërë, por e ka përdhunuar institucion e presidentit në mënyrën më të dhunshme. Nuk është dëshirë e jona për të kapur presidencën. Nuk kemi asnjë lloj interesi. Duam që Shqipëria të ketë një president mbi palët, në dobi të interesit shqiptar. Jo president që të jetë ditën president e natën kryetar i një shtabi elektoral të një partie. Duhet një hetim i plotë i sjellës së tij para dhe gjatë fushatës. Komisioni hetimor parlamentar të marrë kohë që të identifikohen të gjitha shkeljet. Thirrjet për dhunë ishin shkaku që çuan në veprime tërësisht kriminale nga një pjesë e opozitës. Në 2021 Shqipëria meriton në hetim të plotë të sjellje së presidentit para dhe gjatë fushatës, duke nxjerrë në pah të gjitha problematikat që bien në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Në biem të gjithë dakord që thirrjet për dhunë ishin shkaku që çuan në veprime kriminale nga një pjesë e opozitës. Jam dëshmitar i një sjellje kriminale të PD në Elbasan që krijoi grupe të armatosura të cilat çuan në vrasjen e një qytetari autokton të Elbasanit dhe për mua ajo vrasje ka një detyrim për t’u zbardhur deri në detaj. Nga atentatori dhe deri te urdhëruesit e këtij akti kriminal. Ngritja e një strukture të armatosur është një akt i dënueshëm që Prokuroria duhet të bëjë detyrën jo vetëm ndaj atyre që shkrepën armët. Mendoj që PD ka kohë që të distancohet nga këto grupe kriminale".
Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla tha poashtu se LSI ka shkuar për skrap. Ndërkohë iu drejtua Partisë Demokratike duke i thënë se rezultati i zgjedhjeve është ai që është në kuti dhe duhet pranuar.
“ LSI shkoi për skrap, ashtu sic e shkroi vetë fatin e saj. Sot, si kryetari dua ti them PD që rezultati i zgjedhjeve është ai që është në kuti e që cdo parti politike duhet ta lexoje. Se dhe ne nuk kemi pasur rezultatin që do kishim dëshiruar por kemi marrë atë minimalin. Se të gjithe e dinë se ne kemi humbur 1 mandat“.
Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare e sotme, vendosi që kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ta shqyrtojë më 7 maj.



