Shqipëria sot është më keq se një vend i pushtuar, është e përdhunuar

Shqipëria sot është më keq se një vend i pushtuar, është e përdhunuar

Nga Denis Dyrnjaja

Deri në vitet '90 kur ndodhi ndryshimi i sistemit politik, nga diktatura në demokraci dhe pluralizëm politik, Shqipëria kishte një doktrinë ushtarake mbrojtjeje dhe sigurie kombëtare. Vendi kishte ushtri të organizuar, kishte njësi mbrojtëse tokësore, detare dhe ajrore. Sigurisht, ato ishin të një teknologjie të vjetër dhe në një farë mënyre jashtë kohës për një konkurrencë efektive me shtete të tjera që kishin investuar në mënyrë të vazhdueshme në modernizimin e ushtrisë sipas mundësive buxhetore. Shqipëria mbeti në një farë mënyre peng i viteve '60 kur rusët ndërtuan bazën e Pasha Limanit në Vlorë, që për kohën e kthehu në një lloj faktori të fortë gjeostrategjik në rajon përsa i përket rreshtimit në bllokun lindor dhe Traktatin e Varshavës, ku bënin pjesë të gjitha vendet e bllokut komunist me Bashkimin Sovjetik në krye. Vitet kaluan, miqësia me Moskën ra, Tirana dhe regjimi i Enver Hoxhës e çoi shikimin edhe më larg në lindje, nga Pekini.

Në vitet '70 shqiptarët filluan të qeshnin si kinezët, madje të mësonin edhe gjuhën kineze vetëm për të treguar besnikëri ndaj Mau Ce Dunit dhe regjimit në Pekin, prej të cilit merrnim tanimë jo vetëm pajisje ushtarake dhe bazën logjistike të armatimit, por edhe ushqime. Shqipëria kishte ushtri, por e kishte të paveshur e të paushqyer, sikurse kishte të gjithë popullin. Vendi shkonte gjithnjë e më shumë drejt rrëpirës ekonomike dhe ushtria nuk bënte përjashtim. Prishja edhe me Kinën dhe teza "Të jetojmë si në rrethim" dhe "Të prodhojmë gjithçka me forcat tona" çoi në një degradim të ekonomisë pa kthim. Ushtria sidomos në fund të viteve '90 ishte tanimë e paveshur, e paushqyer, e demotivuar në rrethanat kur gjithçka ishte një panoramë skamjeje masive. Sigurisht, një degradim si ky do prodhonte një efekt socio/politik, i pasuar nga efekti domino në mbarë lindjen, kur regjimet komuniste po binin një nga një si pasojë e rrënimit ekonomik.

Dielli i Perëndimit po ngrohte edhe lidhjen e Evropës pak nga pak, por kjo nuk mjaftonte. Bashkë me përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, të gjitha asetet e ushtrisë u përballën me një valë shpërbërjeje e shkatërrimi. Prona të ushtrisë u tjetërsuan, repartet ushtarake u shkretuan. Gjithë krenaria e një ushtrie 40-vjeçare që nuk u provua kurrë në një luftë, u tret si kripa në ujë. Ndryshimet politike mbërritën. PD-ja, e cila ishte forca e parë politike në pluralizmin e sapolindur, u deklarua qartë për Shqipërinë në NATO dhe në BE. Por këto nuk ishin më thjesht deklarime në vitet që pasuan. Anëtarësimi në NATO kërkonte kushte dhe standarde. Kërkonte një ushtri të riorganizuar e të modernizuar, automatikisht edhe të mirëfinancuar. Kjo nuk ndodhi, qeveritë njëra pas tjetrës më shumë u përpoqën të lobonin politikisht për të integruar Shqipërinë në NATO sesa të plotësonin standardet.

Miliona dollarë e euro të shpenzuara dhe abuzuara në vitet dhe dekadat e demokracisë, por ushtria mbeti sërish me 2-3 helikopterë, po aq anije ushtarake dhe me një bazë logjistike të trashëguar nga e shkuara, me armatim të vjetër. Edhe dhuratat e marra nga vendet partnere ishin të vjetra në raport me kohën. Pra mund të thuhet se në NATO më shumë na futën, sesa u futëm ose e meritonim të futeshim. Se nëse do futeshim sikurse kërkojnë e janë standardet, të paktën do duhej të kishim blerë një flotë të vogël avionësh F-16 amerikanë. Sikur nga një në 3 vjet të blinim, do kishim nja 6 copë e s'do prisnim sa të vinin avionët grekë e italianë të patrullonin mbi Shqipëri.

Praktikisht, qielli ynë është pa mbrojtje ajrore kombëtare, por mjaftohemi me monitorimin e fqinjëve si vende partnere. Në 30 vjet, me miliona dollarë e euro të bëra rrush e kumbulla do e kishim një flotë detare të vogël, por efektive me nja 3 a 4 fregata moderne. Kështu me radhë mund të modernizonim pak nga pak të gjithë ushtrinë e vendi të kishte dinjitet e shteti integritet e sovranitet të pacenuar. Qeveritë u mbështetën dhe flenë mbi dafina te neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO-s) se agresioni ndaj çdo vendi anëtar angazhon menjëherë vendet partnere në mbrojtje të tij. Po kur ndodh që të gjitha vendet mund të ndodhen në një agresion të mundshëm ose në një luftë të paparashikuar, kush do na mbrojë? Letrat dhe firmat e traktatit?! Po nëse shpërthen një luftë ballkanike, kush do mbrojë kë?! Së fundi po flitet se mund të ketë një sulm të paparashikuar me dronë iranianë për shkak të marrëdhënieve të tensionuara në ekstrem me vendin islamik, për shkak të strehimit të anëtarëve të MEK (opozitës iraniane në mërgim).

Ekspertët thonë se është e pamundur që kjo të ndodhë. Por nëse ndodh një sulm, atëherë dëmet s’i llogarit dot njeri, sidomos ato njerëzore. Ndaj duhet ushtria për të parandaluar, jo për të sulmuar. Ne jemi vend i NATO-s. Ushtri kemi, por mbrojtje s'kemi, teknologji sigurie kemi, por faktet tregojnë se s'kemi. Sulmi kibernetik dhe hakerimi i të dhënave e tregoi dhe provoi qartë këtë. Lufta hibride dhe ajo kibernetike është ndër më të preferuarat për vendet jo mike. Atëherë çfarë vendi anëtar i NATO-s jemi?! Një vend që detyrohet të plotësojë kushte të tjera në këmbim të garancisë së sovranitetit nga partnerët.

Ndërkohë që në 30 vjet kishim mundësi me aq shumë para të abuzuara të kishim një ushtri të vogël, por moderne dhe efektive për të qenë të dinjitetshëm e të barabartë mes të barabartëve, jo lëpirësa mes të barabartëve. Kishim mundësi të krijonim siguri sistemesh e mbrojtje të të gjitha formave, por kemi dështuar se ose kemi vjedhur, ose kemi gënjyer. Kjo është Shqipëria sot, e zhveshur kibernetikisht dhe ushtarakisht. Është më keq se të jesh një vend i pushtuar! Është një vend i përdhunuar!

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy