
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka anuluar vizitën e planifikuar në Uashington të një delegacioni të nivelit të lartë, në shenjë proteste me vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që miratoi një rezolutë që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gazë.
Rezoluta kaloi me 14 vota pro, asnjë kundër, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën që të mos përdornin veton, por abstenuan.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Amerikane, John Kirby. “Jemi shumë të zhgënjyer” ka thënë ai.
Izraeli ka cilësuar një turp, mosdënimin e Hamasit. “Fakti që rezoluta e miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk dënon sulmin e Hamasit më 7 tetor është një turp”, deklaroi ndër të tjera ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan.
Netanyahu akuzoi SHBA-në se është “tërhequr” nga ajo që ai tha se ishte një “pozicion parimor” duke lejuar miratimin e rezolutës pa vendosur që armëpushimi të jetë i lidhur me lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Delegacioni izraelit ishte planifikuar që t’iu prezantonte zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë planet e Izraelit për një pushtim të pritshëm tokësor në qytezën Rafah në Gazë, ku më shumë se 1 milion civilë palestinezë janë strehuar nga luftimet në pjesë të tjera të enklavës.



