
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave (e enjte, 25 shtator), janë marrë disa vendime të rëndësishme për shkarkime dhe emërime në poste të larta drejtuese në ministri dhe institucione të tjera.
Një nga vendimet kryesore ishte shkarkimi i Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ky vendim vjen pas votimit në Këshillin Bashkiak dy ditë më parë, ku u miratua projektvendimi për shkarkimin e tij.
Në të njëjtën mbledhje, u miratua emërimi i Silva Cakës në postin e zëvendësministres së Brendshme, duke zëvendësuar Andi Mahilën, i cili është liruar nga detyra.
Ndryshime kanë ndodhur edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, ku Eugena Tomini është emëruar zëvendësministre, ndërsa Mira Kapisyzi është liruar nga ky pozicion.
Këto lëvizje vijnë në një periudhë kur skena politike po përjeton zhvillime të ndjeshme, veçanërisht në kryeqytet dhe brenda Partisë Socialiste.
Vendimet e Këshillit të Ministrave
Edona Bilali emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Silva Caka emërohet zëvendësministër i Punëve të Brendshme
Eugena Tomini emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Andi Mahila, zëvendësministër i Brendshëm, lirohet nga kjo detyrë
Mira Kapisyzi, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, lirohet nga kjo detyrë.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë, shkarkohet nga kjo detyrë, me propozimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, miratuar me vendimin nr.69, datë 23.9.2025
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.



