Deputeti demokrat, Gent Strazimiri, e quajti pengim të drejtësisë votën e sotme të maxhorancës për të mos lejuar arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri. Strazimiri listoi rastet kur nuk aplikohet arresti me burg në kushtet e ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm.
“Halli i madh i shokëve të Tahirit është se nuk duan të dalin se po pengojnë drejtësinë, por as Saimirn nuk duan ta dorëzopjnë. Nëse ka një dyshim të arsyeshëm që superministri është përfshirë në këtë vepër, duhet t’i thoni prokurorisë që t’u vijë turp.
Ai është personi që ka pasur në dorë të fikë radarët, u ka vënë në dispozicion trafikantëve makinën. Vepra për të cilën akuzohet ai është nga ato që të fusin brenda dhe të hedhin çelësat në det. Këta thonë se ekziston dyshimi i arsyeshëm, por nuk e dorëzojmë dot. Sot 75 vota mbrojnë Saimir Tahirin. Banesa dhe xhepat e tij mund të kontrollohen. Pra në 5 ditë ai ka pasur kohë të lyejë shtëpinë nga e para, të fshijë gjurmët e gishtave etj”, tha ai.



