Barbekjuja tradicionale e Argjentinës nuk është më e përballueshme për shumë familje për shkak të rritjes së çmimeve të mishit dhe perimeve, raporton “Reuters”.
Fjala “asado”, e cila rrjedh nga fjala spanjolle “e pjekur”, i referohet si metodës unike të pjekjes në sgarë për barbekjunë argjentinase dhe gjithashtu bashkimit në një vakt mes miqve dhe të afërmve.
Megjithatë, me inflacionin në vend që ka arritur në 200% vitin e kaluar, më shumë argjentinas kanë shtrënguar edhe më shumë rripat.
"Na është dashur të eliminojmë gjërat që e bëjnë jetën pak më të gëzueshme," i tha Reuters pensionistja argjentinase Susana Barrio.
“Ai gëzim që më jepte një barbekju me miqtë e mi, gjë që këtu është tipike, tani është e pamundur”, ankohet 79-vjeçarja.
Ekonomia e tretë më e madhe e Amerikës Latine po përballet me barrën e një krize të rëndë ekonomike pas dekadash borxhi dhe keqmenaxhimi financiar. Rreth 40% e argjentinasve jetojnë në varfëri.
Sipas statistikave zyrtare, norma e inflacionit arriti në 25.5% nga muaji në muaj. Pritet të rritet më shpejt në muajt në vijim pasi qeveria e Presidentit Javier Milei zhvlerësoi peson si pjesë e reformave të tij të ashtuquajtura "terapia e shokut" për të stabilizuar ekonominë e sëmurë.



