Ka mbërritur në lagjen Qafëhardhi të Shkodrës, helikopteri i Forcave të Armatosura, i cili po ndihmon forcat zjarrfikëse për të shuar flakët masive që kanë përfshirë disa banesa.
Kujtojmë që prej orësh 21 mjete zjarrfikëse janë përfshirë në një operacion për shuarjen e flakëve, ku janë përfshirë edhe zjarrfikëse nga Ulqini e Tivari.

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu tregun e rrogave të përdorura në Shkodër rreth orës 19:00, duke shkaktuar dëme të shumta materiale edhe në banesa, por fatmirësisht jo në jetë njerëzore.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi bën me dije përmes një postimi në rrjetet sociale se:
"Menjëherë pas marrjes së njoftimit, helikopteri Cougar dhe një grup efektivësh të FA u janë bashkuar forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e zjarrit të rënë në lagjen Qafhardhi, në Shkodër rreth orës 19:00. Strukturat e Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror kanë bërë evakuimin e menjëhershëm të banorëve, ndërsa aktualisht flakët janë nën kontroll. Forcat në terren po punojnë për normalizimin e situatës për të izoluar edhe vatrën e fundit. Gjithmonë në gatishmëri për të siguruar mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve!"



