Pabarazia e thellë sociale, raporti i OXFAM jep të dhëna shqetësuese

Pabarazia e thellë sociale, raporti i OXFAM jep të dhëna shqetësuese

Pasuria e 8 njerëzve më të pasur në botë është e barabartë me atë të 3.6 miliardë të varfërve. Shifra ka dalë nga një raport i OXFAM-it, i prezantuar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Kjo pabarazi është një kërcënim për ndarjen e thellë të shoqërisë, thuhet në raport.

Lista e tetë individëve më të pasur në botë, të gjithë meshkuj të listës “Forbes”, përfshin themeluesin e “Microsoft”-it, Bill Gates; atë të “Facebook”-ut, Mark Zuckerberg, dhe atë të “Amazon”-it, Jeff Bezos.

Të tjerë miliarderë në listë janë themeluesi i “Inditex”, Amancio Ortega, (i njohur si pronari i Zara), investitori Warren Buffett, manjati meksikan Carlos Slim, apo ish-kryebashkiaku i Nju-Jorkut, Michael Bloomberg.

Në raport, OXFAM thekson lidhjen potenciale mes pabarazisë së madhe dhe rritjes së zemërimit antiestablishment.

“Kaq shumë pasuri e përqendruar në duart e kaq pak njerëzve, kur 1 në 10 njerëz mbijeton me më pak se 2 dollarë në ditë”, thotë Winnie Byanyima, drejtore ekzekutive e OXFAM.

“Që nga Brexit-i deri te suksesi i Donald Trump-it në fushatën presidenciale, një rritje shqetësuese e racizmit dhe zhgënjimi mbarëbotëror me politikën e vjetër. Këto janë shenjat se gjithnjë e më shumë njerëz në vendet e pasura nuk e tolerojnë këtë status-quo”, thotë ajo.

Sipas raportit, nëse gjërat ndjekin rrjedhën e deritanishme, bota do të ketë trilionerin e parë brenda 25 viteve.

Pabarazia është një fenomen që nuk ekziston vetëm në ndarjen në të varfër e të pasur, por edhe në baza gjinore. Sipas raportit, në bazë të trendit të deritanishëm, femrave do t’u duhen 170 vjet për të arritur të fitojnë aq sa burrat.

OXFAM e vë theksin te rritja e taksave për “individë të pasur dhe korporata të mëdha” dhe shton se një çështje kritike mbetet evazioni sfiskal.

Në Konferencën e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin është përllogaritur se vendet në zhvillim humbasin rreth 100 miliardë dollarë çdo vit për shkak të evazionit fiskal, një shifër kjo që do t’u garantonte arsimim 124 milionë fëmijëve, që nuk kanë akses në shkolla.

Raporti nxjerr në pah gjithashtu edhe lobingun dhe marrëdhëniet e ngushta të biznesit me politikën.

“Kapitalizmi përfiton nga të pasurit, individët që kanë në pronësi dhe drejtojnë korporata. Kjo në kurriz të të mirës së përbashkët dhe reduktimit të varfërisë. Kjo do të thotë se bizneset e vogla e kanë më të vështirë të bëhen konkurruese dhe njerëzit e zakonshëm do të paguajnë më shumë për mallrat dhe shërbimet që u duhen”, thuhet në raport.

Gjetjet e raportit të OXFAM vijnë pas raportit të vitit të kaluar, sipas të cilit 62 njerëz kanë një pasuri të barabartë me atë të gjysmës së popullsisë së botës.

Raporti i ri ka marrë në shqyrtim të dhëna nga Kina dhe India. / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy