
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zbardhi detaje nga Kongresi i PS, që do të mblidhet ditën e nesërme, dhe që përkon edhe me 30-vjetorin e themelimit të kësaj partie.
Ai do të nisë punimet me përkujtimin e figurave të saj kryesore që kanë dhënë kontribut në 30 vite dhe më pas në pjesën e dytë do të prezantohet vizioni për Shqipërinë 2030 dhe objektivat për mandatin e radhës.
“Nesër PS e Shqipërisë feston 30-vjetoprin e saj dhe urimet nuk bëhen dot sot. Ky është një moment historik në rrugëtimin e PS që gjatë 30 viteve ka një kontribut të veçantë në jetën politike të vendit. Nuk i ka bërë asnjëherë dëm interesave të vendit por ka investuar në favor të demokracisë dhe çuarjen përpara të ëndrrës së anëtarësimit në BE. Pjesa e parë e kongresit do i dedikohet këtij rrugëtimi 30-vjeçar. Në pjesën e dytë të kongresit do prezantojmë vizionin e Shqipërisë 2030 me një prezantim të përmbledhur të objektivave për mandatin e radhës qeverisës”, u shpreh Balla.
Ai deklaroi se brenda PS-së do të ketë një analizë të thellë brenda partisë në mënyrë që deri në pranverën e vitit 2022, e gjithë struktura e saj të jetë në përgjigje të kërkesave të kryetarit dhe kryesisë.
Balla shtoi se bashkëpunimi është i rëndësishëm për çështje dhe reforma që janë thelbësore për vendin në një moment kur pritet të nisë zyrtarisht hapja e negociatave me BE-në.
“Partia Socialiste është parti me shumë rregulla dhe respektimi i tyre na bën të kuptojmë se si po ecën. Do të bëhet riorganizim i përgjithshëm. Do të flasim për fitimin e mandatit të katërt në 2025. Në këtë këndvështrim është e rëndësishme që fokusi ynë duhet te qëndrimet që kemi përpara. Biem dakord te rishprehja e vullnetit tonë, për një frymë të re politike të vend, prej shtatorit, kur dhe opozita, PD, se s’ka opozitë tjetër, të krijojmë dialog konstruktiv për interesat e vendit. Në qershor, korrik, shtator, do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare, do të jetë hapja e negociatave dhe natyrshëm që ky proces i ri, por që është procesi i fundit që të çon në BE do përgjegjësi nga të gjitha palët. Rama ka shprehur gatishmërinë për frymë të re, edhe me opozitën, që duhet të gjejë veten për këtë kontribut historik”, tha Balla.
Ndërsa lidhur me urdhrin ekzekutiv të Biden, Balla e ka cilësuar akt të mirëpritur që përfshin edhe Shqipërinë. Po ashtu ai nuk ka humbur rastin që të thumbojë Berishën i cili gjithashtu dje e mirëpriti urdhrin e Biden. Sipas tij ishte qesharak reagimi i atyre që tashmë janë shpallur ‘non grata’ nga SHBA.



