
Gazetaria është në krizë dhe arsyet që e kanë çuar në këtë pikë janë disa. Në studion e lajmeve në MCN TV, Koloreto Cukali, drejtor ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias, tha se në Shqipëri janë disa arsye shtesë për këtë krizë.
Gazetaria në përgjithësi është në krizë për shumë arsye. Një prej tyre është një sulm frontal që i bëhet nga liderë autokratë. Edhe gazetaria shqiptare është pjesë e kësaj krize. Kriza është edhe ekonomike. Ka krizë resursesh, mediat nuk bëjnë dot punën e tyre sepse shteti ka ngritur një mur të papenetrueshëm, nuk jep informacion.
Duke komentuar pjesëmarrjen e kryeministrit Rama në konferencën e OSBE-së me temë “Gazetari në kohë krizash”, Cukali tha se fjalimi i Ramës ishte një reflektim frojdian.
Është e habitshme që në këtë konferencë kryeministri flet me urrejtje për gazetarinë. Ne harxhojmë shumë kohë duke menduar. I gjithë fjalimi i kryeministrit ishte një rikthim te ligji i antishpifjes. Flet me përbuzje për vetërregullimin, kur nuk di si funksionon. Është një kryeministër që e ftojnë në një kuvend gazetarësh dhe e vetmja gjë që thotë citon “legjendarin” Donald Trump, një nga armiqtë më të mëdhenj të medias.
Për mirëfunksionimin e medias, Cukali tha se e vetmja rrugë mbetet vetërregullimi.
Vetërregullimi duhej të ishte sidomos te media online. Ka media që nuk duan t’i bashkohen këtij procesi dhe ndihen komode me një situatë anarkie. Një pjesë nuk e duan, ne vuajmë nga mosbesimi, nga mungesa e bashkimit. Dini ju një shoqatë që mbron të drejtat e kryeredaktorëve? Dini sindikatë gazetarësh që të mbrojë kontratat? Përveç vetërregullimit nuk ka rrugë tjetër, përndryshe do të marrim rrugën e Turqisë apo Kinës. Procesi ka nisur ndërkohë. Unë besoj se ai ligj është i vdekur. Kryeministri e ka treguar që nuk do ta vazhdojë më. ka shumë për të rregulluar por nga kjo maxhorancë nuk po shoh vullnet.



