
Apple ka zbuluar dobësi serioze të sigurisë për iPhone, iPad dhe Mac, të cilat potencialisht mund t'i lejojnë hakerat të marrin kontrollin e plotë të pajisjeve.
Apple shtoi se është "në dijeni që ky problem mund të jetë shfrytëzuar më herët".
Ekspertët e sigurisë kanë këshilluar përdoruesit që të përditësojnë urgjentisht pajisjet e prekura - iPhone 6S dhe modelet e mëvonshme, iPad-ët më të rinj dhe kompjuterët Mac që përdorin macOS Monterey.

Në një përditësim në faqen e saj, Apple tha se një nga të metat do të thotë se një aplikacion që mund të përmbajë viruse "mund të jetë në gjendje të ekzekutojë kodin arbitrar me privilegje kernel" - të cilin TechCrunch e përshkruan si akses të plotë në pajisje.
Apple nuk dha asnjë informacion të mëtejshëm se sa përdorues u prekën ndërkohë paralajmërimi për përdoruesit vjen përpara lancimit në shtator të iPhone-it më të fundit - që pritet këtë vit të quhet iPhone 14.



