Këshilli i Bashkimit Europian dhe Parlamenti Europian kanë arritur një marrëveshje për paketën e re të rregullores mbi inteligjencën artificiale, e njohur si “AI Omnibus”.
Marrëveshja parashikon ndalimin e përdorimit të inteligjencës artificiale për krijimin e përmbajtjeve seksuale apo intime pa pëlqim, si edhe të materialeve me përmbajtje pedopornografike.
Po ashtu, është ndryshuar edhe kalendari i zbatimit të “AI Act”.
Sipas afateve të reja, rregullat për sistemet e inteligjencës artificiale me rrezik të lartë do të hyjnë në fuqi më 2 dhjetor 2027 për sistemet autonome dhe më 2 gusht 2028 për ato të integruara në produkte.
Në emër të presidencës së Këshillit të BE-së, zv.ministrja për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna, deklaroi se marrëveshja do të mbështesë bizneset europiane dhe do të forcojë sovranitetin digjital dhe konkurrueshmërinë e Bashkimit Europian, duke rritur njëkohësisht mbrojtjen e të miturve nga rreziqet e inteligjencës artificiale.
Marrëveshja përfshin edhe ndryshime për qeverisjen dhe mbështetjen e bizneseve të vogla e të mesme.
Afati për krijimin e “sandbox”-eve rregullatore për inteligjencën artificiale nga autoritetet kombëtare është shtyrë deri më 2 gusht 2027.
Gjithashtu, është sqaruar roli i Zyrës Europiane për Inteligjencën Artificiale në mbikëqyrjen e modeleve të përgjithshme të AI-së, ndërsa disa sektorë si forcat e rendit, menaxhimi i kufijve, autoritetet gjyqësore dhe institucionet financiare do të mbeten nën kompetencën e autoriteteve kombëtare.
Një tjetër ndryshim lidhet me transparencën e përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale.
Periudha e zbatimit të masave të transparencës është ulur nga 6 në 3 muaj, me afat përfundimtar më 2 dhjetor 2026.
Sa i përket inteligjencës artificiale industriale, është arritur kompromis për të shmangur mbivendosjen mes “AI Act” dhe legjislacioneve sektoriale, si ato për pajisjet mjekësore, lodrat apo makineritë industriale. Në këtë kuadër, rregullorja për makineritë do të përjashtohet nga zbatimi i drejtpërdrejtë i ligjit për inteligjencën artificiale.



