
Industria ushqimore po përshkallëzon rritjen e çmimeve për produktet finale në tregtinë me pakicë për të reflektuar pak e nga pak kostot e larta të prodhimit.
Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve Alban Zusi në një lidhje skype në studion e lajmeve në MCN Live deklaroi se ky sektor është ai më i prekuri nga kriza dhe se sipas tij do të japë probleme në 2-3 vitet e ardhshme në vend dhe jo vetëm.
Ai tha se nëse deri pak kohë më parë ka qenë disi diplomat në ato që ka thënë për të mos përhapur panik, tani mendon se ka ardhur koha për të thënë gjithçka troç.
Pa diskutim është detyrim qytetar dhe moral dhe pragmatist që ne të flasim dhe të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për sektorin më të rëndësishëm të vendit që është sektori ushqimit. Por e them se ky do të jetë sektori që do të japë probleme në 2-3 vitet e ardhshme në vend dhe jo vetëm. Ne do ballafaqohemi me një krizë shumë të rëndë të mungesës ushqimore në treg përveç rritjes së çmimeve dhe në këto kushte mendoj se do të jetë një detyrim i të gjithëve dhe mediave se duhet të jenë në alert për të parandaluar situatën që do të jetë shumë i vështirë në të ardhmen. Gjithmonë kam qenë pothuajse 100% parashikues i gjërave që kanë ndodhur. Më parë kam qenë disi diplomat për të mos hapur panik te njerëzit, por mendoj se ka ardhur momenti se duhet të flasim troç, sepse politikat jo adekuate në 8-9 muajt e fundit duke qenë se nuk po konsiderohen atëherë duhet të flasim troç.
I pyetur se çfarë duhet bërë për të mos pasur falimentim në këtë sektor, Zusi tha se po futemi në një fazë të mungesës ushqimore në nivel global. Më tej teksa ka kërkuar ngritjen e një ministrie të posaçme për këtë sektor, ka denoncuar edhe Bankën e Shqipërisë me politikat e saj që po ndjek duke thënë se po e dëmton ekonominë e vendit duke shfuqizuar euron dhe fuqizuar lekun.
Po futemi në një fazë të mungesës ushqimore në nivel global. Por çfarë po bëjmë ne për tu mbrojtur nga kjo situatë. Jemi pothuajse në fazën 0, nuk po bëjmë asgjë. Aktualisht jemi në një bilanc negativ duke qenë se produktet tona kanë varësi të lartë nga importi, ne mundemi të ballafaqohemi me situata edhe më të rënda. Sepse nëse fermeri në Serbi se mban dot kafshën për ushqim, po ne që duhet ti blejmë prej tyre ku do të dalim. Prandaj urgjentisht duhet një ministri e posaçme, një institucion për të marrë vendime të menjëhershme për të alokuar buxhete për nxitjen e eksporteve dhe uljen e importeve. Dhe të pranojmë praktikat antikombëtare që po ndjek Banka e Shqipërisë me euron. Ekonomia shqiptare ka mbi kurriz përveç luftës dhe pandemisë edhe bankën shqiptare që po fuqizon lekun shqiptar. Banka Shqipërisë duhet të japë shpjegime se cila është loja që po bën duke zhvlerësuar lekun e huaj dhe fuqizimin e lekut. Po shkatërron ekonominë, do shkatërrojë dhe turizmin. Po shkatërron prodhimin vendas. Në asnjë vend të botës së zhvilluar s’ka ndodhur kjo lloj politike, këtu ndodh e kundërta.



