
Protesta qytetare që kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama ka hyrë sot në ditën e saj të 40-të. Prej 40 ditësh, qytetarë mblidhen çdo pasdite në mënyrë paqësore në shesh, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime rrënjësore në politikën shqiptare.
Aktivistja Arilda Lleshi, e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, u shpreh se protesta tashmë duhet të kalojë nga një revoltë qytetare në një lëvizje më të organizuar, proces që sipas saj duhet të vijë natyrshëm.
Ne nuk kemi një shtet të së drejtës. Duke qenë se tashmë jemi në temperatura të larta politike, protesta nisi si një revoltë qytetare dhe nuk ishte e organizuar.
Më pas ajo solli masivitetin, energjinë demokratike, por nga ana tjetër solli edhe sfidën e vendimmarrjes.
Pas një periudhe, kur njerëzit që identifikoheshin me këtë lëvizje ndiheshin të kërcënuar ose të goditur nga qeveria, tani pas 40 ditësh duhet të kalojmë nga një revoltë në një lëvizje të organizuar.
Kemi kërkesa, por duhet t'u japim formë. Duhet të kalojmë nga fjala te një mendim më i strukturuar, t'i qartësojmë qëllimet dhe mënyrën se si do të ecim përpara.
Mendoj se duhet të kalojmë nga revolta në një lëvizje më të organizuar. Kjo duhet të vijë natyrshëm.
Shoqëria është e fragmentarizuar dhe nuk do të jetë një proces i lehtë dhe i shpejtë.
Duhet të jetë procesi dhe jo shpejtësia. Duhet punuar me grupet ekzistuese, dhe të mendojmë si do t’i arrijmë qëllimet tona. Duhet të formësojmë më mirë mendimet tona dhe pastaj të vijojmë më tutje.



