Vdekjet nga nxehtësia, pasiguria ushqimore dhe përhapja e sëmundjeve infektive të shkaktuara nga kriza klimatike kanë arritur nivele rekord, sipas një raporti historik.
Raporti i nëntë i Lancet Countdown për shëndetin dhe përkeqësimin e klimës zbulon se njerëzit në mbarë botën përballen me kërcënime për shëndetin e tyre nga klima që ndryshon me shpejtësi.
Raporti zbulon se në vitin 2023, thatësira ekstreme që zgjati të paktën një muaj preku 48% të sipërfaqes globale të tokës, ndërsa njerëzve iu desh të përballonin 50 ditë më shumë temperatura kërcënuese për shëndetin, sesa do të pritej pa krizën klimatike.
Si rezultat, 151 milionë njerëz të tjerë u përballën me pasiguri ushqimore të moderuar ose të rëndë, duke rrezikuar kequshqyerjen dhe dëmtime të tjera për shëndetin e tyre.
Vdekjet nga nxehtësia në mesin e të moshuarve mbi 65 vjeç u rritën me 167% në vitin 2023, krahasuar me vitet 1990.
Pa krizën klimatike, një popullsi globale në plakje do të thotë se vdekje të tilla do të ishin rritur, por vetëm me 65%.
Temperaturat e larta çuan gjithashtu në një rekord 6% më shumë orë gjumë të humbur në 2023 sesa mesatarja 1986-2005. Gjumi i dobët ka një efekt të thellë negativ në shëndetin fizik dhe mendor.
Moti më i nxehtë dhe më i thatë pati një numër më të madh stuhish rëre dhe pluhuri, të cilat kontribuan në një rritje prej 31% të numrit të njerëzve të ekspozuar ndaj përqendrimeve të rrezikshme të grimcave, ndërsa sëmundjet kërcënuese për jetën si dengoja, malaria dhe virusi i Nilit Perëndimor vazhdojnë të përhapen në zona të reja si pasojë e temperaturave më të larta.
Por pavarësisht kësaj, “qeveritë dhe kompanitë vazhdojnë të investojnë në lëndët djegëse fosile, duke rezultuar në emetime të larta të gazrave serrë të të gjitha kohërave dhe humbje marramendëse të pemëve, duke reduktuar shanset e mbijetesës së njerëzve anembanë globit”, zbuluan autorët.
Në vitin 2023, emetimet globale të dioksidit të karbonit të lidhura me energjinë arritën një nivel të lartë historik, 1.1% mbi 2022, dhe përqindja e lëndëve djegëse fosile në sistemin global të energjisë u rrit për herë të parë në një dekadë gjatë vitit 2021, duke arritur në 80.3% të të gjithë energjisë .
Ndërsa planeti nxehet, frekuenca dhe intensiteti i fatkeqësive të lidhura me klimën rritet, duke mos lënë asnjë rajon të paprekur. Raporti e bën të qartë, se “ndryshimi i klimës nuk është një kërcënim i largët, por një rrezik i menjëhershëm për shëndetin”.



