Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kthen për rishqyrtim në Parlament ligjin për mediat online, i njohur ndryshe si paketan antishpifje. Ndër argumentat ligjore të përmendura në arsyetimin e kthimit të ligjit, kreu i shtetit konstaton se, në formën që janë miratuar dispozitat ligjore, ato cenojnë jo vetëm parimet themelore kushtetuese, por përbëjnë rrezik për cenim të interesit publik, i cili garantohet edhe përmes ushtrimit të lirisë së shprehjes, lirisë së shtypit dhe së drejtës së informimit, të drejta këto të domosdoshme për një rend demokratik, të lirë e kushtetues.
Sipas presidentit Meta, “miratimi i këtyre dispozitave në thelb përmban elementë censurues të drejtëpërdrejtë që kufizojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të medias”.
Në arsyetimin e kreut të shtetit kritikohet aplikimi i masave ndëshkuese jo proporcionale që ndryshimet në ligj parashikojnë, masa që mund të vlerësohen dhe vendosen nga organe administrative, të cilat në kundërshtim të hapur me rendin e brendshëm kushtetues dhe ligjor, u jepet fuqia që t’i vënë në ekzekutim të menjëhershëm këto masa, përpara se të ketë një vendimarrje përfundimtare dhe të formës së prerë mbi ligjshmërinë e tyre.
Meta shprehet më tej se, hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurtë ndaj operatorëve mediatikë elektronikë, për shkak të trysnisë së aplikimit pa kriter dhe subjektiv të masave ndëshkuese dhe shproporcionale që parashikon ligji i miratuar.
Sipas tij, këtyre mekanizmave jo proporcionalë të forcës ndëshkuese u krijohet mundësia që të aplikohen përkundrejt mediave online që janë kritike me punën e qeverisë.
“Kjo e fundit përmes përfaqësuesve të saj në organet vendimarrëse dhe kompetencave që këto organe marrin, ka të gjitha mundësitë të shfrytëzojë këtë bazë ligjore që lejon interpretim subjektiv, të ndëshkojë në mënyrë të padrejtë çdo media e cila nuk i përshtatet vullnetit politik të shumicës. Ky realitet do të prodhonte frikësimin dhe autocensurën, mbylljen apo pezullimin me pa të drejtë të mediave elektronike, duke ndikuar drejtëpërdrejtë në cilësinë dhe objektivitetin e informacionit, çka do të prodhonte furnizimin e publikut me fakte ndryshe nga realiteti, që jo vetëm keqorientojnë shoqërinë në kërkimin e të drejtave të tyre, por dhe në përmbushjen e përgjegjësive qytetare për ndërtimin dhe ruajtjen e vetë demokracisë. Një situatë e tillë do e vendoste vendin në kufirin e një autoritarizmi, që do të përbënte rrezik për të ardhmen dhe integrimin e Shqipërisë, si edhe ekzistencën e vetë demokracisë funksionale në vend”, thuhet në arsyetimin ligjor të presidentit.



