Nga 1 maji, kompania celulare One Albania ka vendosur të rrisë me 2.2% tarifat për abonentët me kontratë.
Ky vendim vjen në një kohë kur tregu i telefonisë celulare ndodhet nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës, për dyshime mbi marrëveshje të mundshme për vendosjen e çmimeve.
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, në 'MCN Economy" e cilëson këtë rritje të pajustifikuar në kushtet aktuale ekonomike, duke theksuar se përdorimi i inflacionit si argument nuk qëndron.
Rritja nuk është e mirëseardhur sepse situata është ende në alarm. Të thuash që po rris çmimin se është rritur inflacioni është absurde, inflacioni rritet sepse janë rritur çmimet më parë. Nuk mund të përdorësh inflacionin si justifikim për rritje të reja. Kjo është nonsens, matematikisht nuk qëndron.
Ai shtoi se në tregje me konkurrencë të kufizuar, rritja e çmimeve bëhet më e lehtë dhe konsumatori është ai që dëmtohet më shumë.
Nëse tregu shkon drejt monopolit, çmimet rriten. Konkurrenca është ajo që mban tregun të shëndetshëm. Kur ajo mungon, përfitues janë vetëm spekulantët.
Nga ana tjetër, edhe Kreu i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Stafa, ngriti shqetësimin për mungesën e mbikëqyrjes dhe abuzimet e mundshme në treg.
Kemi pasur ankesa konkrete nga konsumatorët. Duket se edhe operatorët celularë po përfitojnë nga situata për të rritur fitimet në kurriz të qytetarëve. Në fund, e gjithë barra bie mbi konsumatorin,” deklaroi Stafa.
Ai kritikoi gjithashtu lidhjen e çmimeve me inflacionin, duke e cilësuar këtë praktikë të padrejtë.
Klauzola për indeksimin me inflacionin është e padrejtë. Nuk ka lidhje direkte me shërbimin celular. Kjo krijon hapësira për abuzim, sidomos kur tregu dominohet nga pak operatorë.
Sipas Stafës, mungesa e konkurrencës reale dhe mbikëqyrjes institucionale ka sjellë një situatë ku konsumatori ka pak mundësi zgjedhjeje dhe mbetet i pambrojtur.



