Projektligji i Qeverisë për krijimin e Dhomës Ekonomike Kombëtare, e cila synon të unifikojë përfaqësimin e biznesit dhe ku parashikohet regjistrimi i detyrueshëm i bizneseve, ka shkaktuar kundërshtime nga një sërë shoqatash dhe dhomash të biznesit, vendase dhe të huaja.
Pak ditë më parë, 17 dhoma dhe organizata biznesi, kryesisht të huaja, dolën me një qëndrim të përbashkët kundër nismës, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e përfaqësimit, kuotizimin dhe rolin që do të ketë struktura e re në marrëdhëniet mes biznesit dhe institucioneve.
Në MCN Economy, kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Bujar Muça, kreu i ProEksport, Edvin Prençe, dhe kreu i Dhomës Britanike të Tregtisë, Zenel Hoxha, shprehën kundërshtimet e tyre ndaj projektligjit dhe pasojave që, sipas tyre, mund të sjellë për përfaqësimin e biznesit.
Muça argumentoi se krijimi i një strukture të vetme rrezikon të dobësojë zërat e pavarur të biznesit dhe të kufizojë rolin e shoqatave ekzistuese në oponencën ndaj qeverisë.
Në radhë të parë dua të sqaroj se si janë krijuar shoqatat, dhomat apo sindikatat. Bashkimi i tyre është bërë nëpërmjet një vullneti të gjithë anëtarësisë dhe kanë zgjedhur këtë shoqatë që ka 15 vjet që operon në Shqipëri. Ajo ka zgjedhur forumet e saj dhe është munduar të mbrojë interesat e kategorisë që përfaqëson. Kjo tani na duket si monopolizim i disa grupeve të interesit të pavarura nga shteti dhe e shohim si një monopol të tërësishëm që është në kundër me qeverinë.
Në momentin që formalizohet në formën që na është paraqitur, i bie të mbyllen edhe zërat kundër dhe të bëhet monopol, që të mos ketë zëra kundër. E kundërshtojmë edhe për kostot e larta që do të rriten. Kostot, siç flitet nga zërat, do të ketë një kuotë për çdo biznes të regjistruar 70 mijë lekë të vjetra vjetore, ndërkohë që aktualisht është falas, por kjo është një barrë e rëndë dhe kosto shtesë për biznesin e vogël, i cili është në këtë situatë. S’do të ketë më mundësi për të bërë oponencë mbi qeverinë apo çdo lloj pushteti.
Edvin Prençe u ndal te mënyra e përfaqësimit dhe te nevoja që një dhomë e unifikuar të mos zëvendësojë zërat e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. Sipas tij, një nga problemet kryesore të projektligjit është mungesa e qartësisë mbi mënyrën se si do të funksionojë struktura e re dhe se si do të garantohen interesat e sektorëve të ndryshëm.
Një dhomë e fortë duhet të bashkojë sektorët dhe jo të flasë në emër të tyre, që këtu fillon gjeneza. Kur them këtë, një nga pikat kryesore që ne e kundërshtojmë është kjo: në bazë të ligjit që ata kanë bërë, në këtë projektligj nuk është i bashkëngjitur me të gjithë detajet, duke lënë hapësirë se çfarë do të ndodhë më pas. Ajo që kemi kërkuar është që përfaqësimi të bëhet në nivel real ekonomik, në bazë të kontributit që kanë në ekonominë shqiptare.
Kreu i ProEksport solli si shembull edhe përvojën e Serbisë, duke argumentuar se një model i ngjashëm mund të kufizojë zërin e biznesit dhe aftësinë e tij për të reaguar në situata të vështira.
Në 30 janar 2024 kemi çuar një letër për këto që po flasim sot dhe në 2026 shohim që është hedhur për konsultim, por asgjë nuk është reflektuar. Dhe kur ti nuk e bën këtë, të paktën duhet të ketë një konsultim apo kthim përgjigjeje. Kur nuk ka pasur një reagim dhe vazhdon me atë amulli, sa besim mund të kesh ti në këtë projektligj të ri? Një formulë e tillë u aplikua në Serbi, por bizneset janë të pakënaqura.
Kemi kërkuar të vendoset një maksimum në 5 mijë lekë të reja, pra të ketë një çmim që në fillim dhe çmimet të jenë të garantuara për biznesin. Për të qenë një fuqi më e fortë duhet të bashkohesh në një organizatë që të lobosh. Askush nuk është kundër qeverisë, por detyra e saj është të mbrojë biznesin. Sot po hasim problematikën e madhe që kur kemi kriza, derisa të lobojmë dhe të kuptojnë problemet tona, kalon kohë. Ky ligj është për të komplikuar akoma më shumë jetën e organizatave që janë aktualisht në Shqipëri.
Ndërsa Zenel Hoxha, kreu i Dhomës Britanike të Tregtisë, e lidhi kundërshtimin me parimin e lirisë së organizimit dhe me modelin europian të përfaqësimit të biznesit. Ai argumentoi se krijimi i një strukture të unifikuar të detyrueshme për bizneset mund të cenojë autonominë e organizatave dhe përfaqësimin e lirë të interesave të tyre.
Sigurisht dhomat e huaja përfaqësojnë vendet demokratike dhe në këtë rast kjo liri humbet. Kështu që së pari është kundër të drejtës bazë të lirisë. Biznesi është bashkim i të lirëve. Ne kemi luftuar fort para 33 vitesh për të sjellë një ligj modern dhe mendoj se arritëm në masën 90%. Ligji i vitit 1994 ishte një arritje e jashtëzakonshme dhe mendoj se përsëri mbetet i pazëvendësueshëm.
Del kundër parimit themelor të biznesit, lirisë. Këta thjesht kërkojnë, si të thuash, të bëjnë qejf se të ardhurat janë të sigurta. Ne synojmë Bashkimin Europian, që është një bashkim i të drejtave universale të njeriut, dhe me akte të tilla ajo i largohet asaj. Prandaj është një arsye më shumë që biznesi të dalë në shesh, ku fakt i mirë është edhe protesta qytetare që prej 125 ditësh del në shesh”, tha Hoxha.
Hoxha shtoi se sipas tij, projektligji është kundërshtuar nga një pjesë e gjerë e asociacioneve të biznesit dhe paralajmëroi se modeli i propozuar duhet të shqyrtohet me kujdes në raport me standardet europiane.
Ky ligj kundërshtohet pothuajse nga të gjitha asociacionet e biznesit. Kjo është një ministri e re ku synon të gjobisë bizneset me ligj. Shqipëria është një vend që sapo ka hyrë në rrugën e demokracisë dhe duhet hap pas hapi tani që këtë gjë ta bëjmë mirë, ta mbrojmë. Është model koreano-jugor, ne vazhdojmë të marrim akoma modelet e Serbisë. Shqipëria ka marrë tatëpjetën me këto, por kjo nuk pritej. Biznesi ka taksa, kontrolle”, deklaroi kreu i Dhomës Britanike të Tregtisë.



