
Gjetja e dialogut dhe dakordësia mes dy Koreve ka qenë kryelajmi i javës së shkuar. Më shumë se shkrirja e tensioneve mes dy vendeve, ajo u pa si tepër e rëndësishme për faktin se i hapi rrugë një marrëveshjeje që i jep fund planit të Koresë së Veriut për të zhvilluar dhe testuar armë bërthamore.
Një samit i pritshëm mes diktatorit koreanoverior Kim Jong-un dhe presidentit Donald Trump pritet t’i “vërë vulën” kësaj marrëveshjeje. Por ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, thotë se presidenti Trump nuk duhet të ngutet në lidhje me detajet e marrëveshjes.
“Mos negocio detajet me Kim Jong-un. Lërua në dorë këtë njerëzve që i shohin të gjitha nuancat e situatës”, e këshilloi ajo presidentin Trump gjatë një interviste në emisionin “Fox and Friends”.
Ish-diplomatja amerikane gjatë presidencës së Xhorxh Bushit thotë se Trump duhet të marrë në konsideratë interesat e aleatëve aziatikë (si Japonia dhe Koreja e Jugut) kur të ulet në tryezën e bisedimeve me Kim Jong-un.
Rice i kujton Trump-it të mos harrojë natyrën prej despoti që ka lideri i Koresë së Veriut. “Është i njëjti regjim që vrau një qytetar amerikan vetëm pak kohë më parë. Po ashtu, vëllai nga njëri prind i Kim Jong-un u vra në Malajzi me gaz VX. Është një regjim brutal, që shkel hapur të drejtat e njeriut. Është një fushë e minuar për vetë qytetarët e tij. Mos e nxirrni nga vëmendja kurrë natyrën e këtij regjimi”.



