
Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me votimin e ditës së sotme në Parlament, i cili i hoqi imunitetin ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke i hapur rrugë arrestimit. “Pasdite në 18.30 do t’i drejtohem opinionit publik me një adresim për votimin e sotëm në Kuvend”, shkruan Rama në Twitter. Me 117 vota pro dhe 3 abstenim, Parlamenti votoi paraditen e sotme kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për heqjen e imunitetit të deputetit Arben Ahmetaj. Tre deputetët që abstenuan janë Fatmir Mediu, Vangjel Dule dhe Agron Duka. Ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj akuzohet për korrupsion, fshehja apo mosdeklarim të pasurive dhe pastrim parash.



