
Kandidatja e PD-së zyrtare për bashkinë e Fierit, Eriselda Zotaj, deklaroi në MCN Live se ajo ka përkrahjen e bazës dhe strukturave të demokratëve. Zotaj tha se është mbështetur edhe nga demokratë të Rithemelimit si dhe nga qytetarë me bindje të majta, që sipas saj e shohin si alternativë të munguar për qytetin. Ajo e konsideroi një qytetar të nderuar dhe profesionist të mirë Evdar Kodhelin e dalë nga primaret, por vë në dukje se ai nuk ka kontribuar brenda PD-së. Sipas Zotajt sondazhet e brendshme në PD tregojnë se do të ketë një rezultat të mirë në Fier.
Kandidat nga PD në qytetin e Fierit është vetëm një. Realiteti për PD është i kthjellët paavarësisht se kaloi një kalvar të gjatë vështirësish. Qyteti i Fierit është pa jetë, qyteti po lëngon, ka nevojë për ndryshim, dhe nuk ka si t’ia ofrojë alternativat si nga kampi i PS që janë të konsumuar, si nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’. Ne jemi përditë në terren, me strukturat e PD, që janë të gatshëm të bashkëpunojnë, të japin kontributet e tyre, ashtu siç kanë dhënë në 33 vjet, sepse e shohin si të vetmen alternativë që do qeverisë Fierin dhe Shqipërinë. Janë të gjitha shanset që ne të paraqitemi si alternativa e munguar. Vjen një zonjë që ka vendosur të rrisë fëmijët e saj në këtë qytet dhe e do këtë qytet. PD sot është më e fortë se kurrë, për qëllimin që është ndërtuar. Ne jemi parti e moralit, vlerave dhe dinjitetit”.
E pyetur nëse e ka pasur përkrahjen e bazës, Zotaj shprehet:
Absolutisht që po. Kandidimi im është diskutuar dhe është marrë mendimi i strukturave. Edhe njerëz që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të Berishës e kanë mbështetur kandidimin tim. Jo vetëm nga demokratët, por është mirëpritur edhe përtej kuadratit të demokratëve, nga qytetarë që mund të jenë me bindje të majta, që mezi e presin një ndryshim. Kam marrëdhënie korrekte me z.Baçi. Kemi punuar gjatë dhe ia njohim meritat njëri-tjetrit, pavarësisht se rrugët tona janë ndarë. Me z.Kodheli s’kam njohje personalisht. E di që është qytetar i nderuar dhe profesionist i mirë, por nuk di të këtë dhënë kontribut te PD. Madje këtë e thonë edhe ata që janë te Rithemelimi që s’ndihen të përfaqësuar”.
E pyetur a e penalizon PD-në shkuarja në zgjedhje me dy kandidatë, Zotaj thotë:
PD ka vetëm një kandidat. Gara jonë është me PS dhe me kandidatin që do publikohet së shpejti. Nuk e shoh që kemi përballë vetes kandidat z.Kodheli. Ka shumë individë dhe qytetarë që e shohin PD-në si parti që do ketë të ardhme të gjatë. Ne do jemi alternativa. Alternativa do startojë në 14 maj, kur në do drejtojmë bashkinë. Kontributi në PD është qysh në fëmijëri sepse jam rritur në një familje demokrate. Ka filluar që në forumin rinor të PD. Më tej kam qenë anëtare e Lidhjes së Gruas, kryetare e grupseksionit, anëtare e Kryesisë së degës dhe sot jam në këtë pozicion ku kam marrë përsipër të përfaqësoj demokratët. Po punon një ekip i madh profesionistësh që do shpalos një program. Ne paraqitemi para elektoratit fierak si një alternativë e munguar. PD është aset kombëtar dhe ka burime jo vetëm për të qeverisur bashkinë, por edhe Shqipërinë. Në fokus kemi të rinjtë, punësimin, infrastrukturën. Nga sondazhet që kemi kryer kemi një rezultat të mirë, të mos them shumë të mirë. Qytetarët, edhe ata që s’besonin te PD, sot e shohin si të vetmen alternativë për të ndryshuar”.
Ajo thotë se Alibeaj është kryetari aktual i PD, por pranon se ai ndodhet në situatë të vështirë si pasojë e anatemimeve. Zotaj shprehet se s’mund ta fajësoj dhe anatemoj Berishën, që e ka pasur dobësi pasi është rritur në një familje demokratësh, por shton se PD nuk mund të jetë pronë e një individi.
PD është në një moment historik. Kryetar aktualisht është z.Alibeaj. PD do të shkojë pas 14 majit në zgjedhje. Patjetër z.Enkelejd është një situatë pak të vështirë sepse është në një anatemim të jashtëzakonshëm nga shumë faktorë të jashtëm të PD që bëjnë gjithçka për ta dëmtuar PD. Por ne kemi qenë ata që e kemi mbajtur në këmbë dhe kemi për detyrë sot të reagojmë.
Doktor Berishën s’do merrja përsipër ta fajësoja dhe anatemoja. Duke qenë se jam rritur në një familje demokratësh doktor Berishën e kam pasur dobësi, sa herë pas here edhe më kritikonin rrethi im miqësor, se më thoshin je shumë e lidhur emocionalisht me kultin e individit. Thjesht do të doja të na jepte hapësirën e nevojshme që të vazhdojmë rrugëtimin tonë. Të mos bëhemi pengesë për interesin e një individi. PD është aset kombëtar nuk është pronë e një individi, ne duhet t’u hapim rrugë të rinjve”.



