
Policia e Shtetit ka një plan masash për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore që do mbahen nesër për Bashkinë Himarë.
“Blutë” bëjnë me dije përmes një njoftimi se “në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 52 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 36 qendrat e votimit”. Në njoftim thuhet se është miratuar nga KQZ-ja lista e punonjësve të Policisë që do të angazhohen në procesin zgjedhor.
“Në këtë kuadër, apelojmë për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera. Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt”, vijon njoftimi.



