
Partia Socialiste ka mbledhur sot Kongresin Elektoral në të cilin është bërë shpallja e disa kandidaturave për kryetar bashkie në zgjedhjet e qershorit. Në hapje të tij kanë marrë fjalën përfaqësues të sekretariatit të saj dhe të qeverisë. Në listimin e arritjeve, zv.kryeministri Erjon Braçe, nënvizoi sidomos platformën “Shqipëria që Duam”, e cila sipas tij ka ofruar mundësi reale zgjidhjeje për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me administratën publike, për 22 153 qytetarë.
Nga ana e saj, zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali foli me një ton më emocional kur e përshkroi qeverisjen e PS-së si një rrugëtim drejt Europës dhe zbulimit të rrënjëve europiane të shqiptarëve këtu në Shqipëri. Por kongresi ka bërë vetëm shaplljen e disa kandidatëve, për të lënë emrat e tjerë për më vonë. Një ndër emrat e rikonfirmuar ishte edhe kryetari aktual I Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili kishte organizuar një aktivitet më vete me këtë rast në sheshin “Nënë Tereza”.
Nëse ne 100 mijë vetë që jemi sot në shesh, takojmë nga një njeri që nuk i është bashkuar ende rrugës tonë të ndryshimit dhe ta bindim të na bashkohet, atëherë do të kemi një fuqi të pandalshme të ndryshimit
tha ndër të tjera z. Veliaj.
Ai ka renditur disa prej investimeve kryesore të bëra nën drejtimin e tij në Tiranë duke u përqendruar kryesisht në infrastrukturë dhe mjedise sociale. Zoti Veliaj madje ka deklaruar si ai do të fitojë edhe në zonën e Astirit dhe se projekti i Unazës nuk do të ndalet.
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim më politik dhe ku nuk kanë munguar akuzat qoftë për presidentin e vendit, Ilir Meta, qoftë për mediat, ashtu edhe për opozitën.
PS-në ju nuk e mundni dot as në Kukës, as në Skrapar, le më në bashkitë e tjera…Ne jemi zëri dhe forca e të ardhmes së Shqipërisë në krye dhe në krah të njerëzve ndërsa ju jeni në krahët e së shkuarës. Ne do të fitojmë, sepse kryetarët e bashkive tona kanë rilindur qytetet, ndërsa në bashkitë e drejtuara nga ju qytetet kanë vazhduar të lëngojnë dhe ende qytetarët nuk kanë parë asnjë hajër, por vetëm sherr nga vota juaj. Kush voton për ju ka vetëm zhgënjim, ndërsa kush voton për ne investon
tha Rama.
Kongresin e kanë përshëndetur edhe përfaqësues të partive të majta europiane, ndërkohë q ëish-kryetari I saj, Fatos Nano, i përfolur se do të ishte prezent sot në të, ka munguar.



