Vijojnë hetimet lidhur me pasurinë dhe dyshimet për afera korruptive dhe veprimtari në kuadër të grupit kriminal në dosjen e njohur si “AKSHI”.
Këtë të enjte, SPAK ka thirrur për deklarime Xhenila Tamizin, e cila rezulton vartëse e biznesmenit në arrati Ermal Beqiri.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se në emër të Tamizit është regjistruar pronësia e një jahti luksoz, i cili, sipas organit të akuzës, është vendosur nga Beqiri për të fshehur pronësinë reale.
Jahti është bllokuar nga SPAK dhe aktualisht ndodhet i ankoruar në Portin e Durrësit, në kuadër të masave për sekuestrimin e aseteve që dyshohet se burojnë nga veprimtari e paligjshme.
Gazetari Arsen Rusta në një lidhje me studion e MCN Live bën me dije se sipas hetimeve kompania Soft and Solution e Ermal Beqirajt dhe EA Solution e Ergys Agasit kanë një marrëdhënie të ngushtë.
Tamizi rezulton e punësuar në shoqërinë Soft and Solution. Në emër të saj rezulton dhe jahti Pretador. Pasi janë trajnuar punonjësit, bëjnë me dije se kontratat janë lidhur me një shoqëri tjetër EA Solution.
Rezulton se Soft and Solution e Ermal Beqirajt dhe EA Solution e Ergys Agasit kanë një marrëdhënie të ngushtë.
Hetimet për këtë çështje vijojnë.



