
Shefi ekzekutiv i rrjetit social më popullor "Facebook", Mark Zuckerberg, do të dëshmojë përpara Kongresit për përdorimin e firmës dhe mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve.
Facebook është përballur me kritika pas skandalit të Cambridge Analytica, që kishte përdorur të dhënat e 50 milionë përdoruesve të rrjetit social.
Ai do të dëshmojë para komisionit të mërkurën 11 prill. Kryetari i Komitetit Greg Walden dhe anëtari Frank Pallone, Jr, mirëpritën vendimin e Zuckerberg.
"Kjo dëshmi do të jetë një mundësi e rëndësishme për të hedhur dritë mbi çështjet kritike të privatësisë së të dhënave të konsumatorit dhe për të ndihmuar të gjithë amerikanët të kuptojnë më mirë se çfarë ndodh me informacionin e tyre personal online", thanë ata.

Sipas BBC, "Facebook" është një nga mënyrat kryesore që politikanët lidhen me votuesit e tyre.
Zuckerberg më parë i tha CNN-it kur u pyet nëse ai do të ishte i gatshëm të dëshmonte: "Nëse kjo është gjëja e duhur që duhet bërë jam shumë i gatshëm ta bej".
Rrjeti social i mediave më i madhi në botë është nën presion në rritje nga qeveritë, investitorët dhe reklamuesit. Kjo vjen pas padisë së një informatori që konsulenca britanike Cambridge Analytica, kishte qasje në informacionin e të dhënave të përdoruesve për të ndërtuar profile mbi votuesit amerikanë, të cilët më vonë u përdorën për të ndihmuar në zgjedhjen e presidentit amerikan Donald Trump në 2016.



