Politologu Ilir Kalemaj tha në MCN Live se është pak vonë për të pasur një reagim nga opozita dhe për të mobilizuar qytetarët, duke theksuar se shpesh motorët e revolucionit dhe mosbindjes civile s’kanë ndezur. Ai vuri në dukje se në protestat e mëparshme opozita s’ka pasur aq njerëz sa të pushtojë Tiranën dhe t’i shpërndajë qytetarët në arteriet kryesore të kryeqytetit.
“Opozita ka premtuar disa herë revolucion, ka ndezur disa herë motorët e mosbindjes civile, por s’i duket s’kanë ndezur dhe i kanë shtyrë për në kalendat greke. Tani me arrestimin e Salianjit mendoj që kanë filluar dhe po u bien borive edhe në arenën ndërkombëtare. Pashë Albana Vokshi kishte thënë në mbledhjen e EPP që kemi tre të burgosur politik, Berishën, Salianjin, Belerin.
Ndoshta është shumë pak dhe shumë vonë për të pasur një reagim nga opozita në lidhje edhe me këtë represion, nëse merret si i tillë dhe për të mobilizuar qytetarët. Pashë edhe në ato deklaratat, që ndoshta janë edhe në kufijtë emocionalë, që nga një anë thuhet që do zaptojmë sheshet dhe arteriet kryesore të vendit dhe nga ana tjetër do djegim gomat, Nga ana tjetër flet Bardhi për bojkot të komisioneve parlamentare, këto edhe mund të kombinohen, por protesta u shty me një javë! Nëse pikën e vlimit e kishte javën e kaluar, s’mund të presësh një javë e gjysmë për një protestë kombëtare.
U tha që takimi do jetë të hënën në 6:30 në Kryeministri dhe pastaj do shpërndahen në gjithë Tiranën. Ne s’kemi parë të mblidhen aq shumë njerëz. Edhe në protestat e tjera mezi janë mbledhur në sheshin kryesor, jo më të pushtohet Tirana. Nëse objektivi është vetëm krijimi i qeverisë teknike, kjo është shumë pak, dhe është plotësisht në vullnetin e palës tjetër”.
Kalemaj e konsideron epërsinë morale që duhet të ketë opozita, si kusht për të sjellë një alternativë të re.



