Prej dy vitesh banorët e zonës së “5 Majit” në kryeqytet janë në mes të rrugës, pasi nuk kanë marrë shtëpitë e premtuara.
Emisioni “Fol” në MCN TV u ndal në një bisedë me banorët e 40 shtëpive të shembura nga Bashkia Tiranë, për t’i hapur rrugë një programi strehimi për banorët e mbetur të pastrehë nga tërmeti.
Nënë Liza e njohur dhe si imazhi i kësaj zone, tha se ka pasur një shtëpi 3 katëshe dhe se tani jeton me qira.
Ajo drejton një apel për kryebashkiakun Erion Veliaj dhe Kryeministrin Edi Rama që të vijnë dhe t’i shohin një herë.
I prishën me nxitim dhe na lanë rrugëve. Veliaj na takoi në rrugë, na tha do i merrni dhe na gënjeu. Na tha do i merrni në vendin ku i keni pasur.
Tani i kanë lënë grumbull. Vetëm nëse na kanë pasur inat. As lagje e re u bë. As lagje e vjetër. I bëj thirrje të na japë rrugëzgjidhje, e duam prej Veliajt dhe Ramës.
Të rri sot 79 vjeçe rrugës. Nuk kam marrë bonus, as kam firmosur. Të marr shtëpinë time dhe të vdes rehat.
Të kesh 3-4 shtëpi dhe të vdesësh në shtëpinë e tjetrit.
Në lagjen tonë atje nuk ka hyrë brenda, pallati është aty, nuk ka futur njeri brenda. Të vish dhe të shikosh grumbullin aty.
Një tjetër banor tregoi se ka bërë dy takime me Veliaj dhe se më pas e ka telefonuar kryetari i njësisë administrative dhe më i ka thënë se nuk e ke firmosur kontratën.
Me një kërkesë që i bëra bashkisë, 9 muaj nuk më kthyen përgjigje. Na nxorën jashtë.
Kur kam folur me atë që ka marrë pallatin këtu, na tha se do ndryshojë projekti. Me bonusin e qirasë nuk gjen dot shtëpi në Tiranë, unë marrë bonus qiraje 220 mijë lekë.
Thonë me çmimin e tregut, pastaj të paguajnë për persona, katër veta që jam unë 220 mijë lekë.
132 metër që kam pasur unë shtëpi, le të ma gjejnë shtëpinë këtu me 220 mijë lekë.
Ne ndodhemi në këto rrënoja se nuk e dimë se kur do filloj pallati.
Një tjetër denoncim u bë nga një banor i cili përmendi emrin e një italiani dhe kompaninë e Bashkisë së Tiranës, e etiketoi si “horllëk”.
47 mijë metër është me VKM do i marrë italiani Giovani Pasquale, ai i betonieres, me një bashkëpronar tjetër. 47 mijë metër janë dy pallate.
Dyqanet ose parkimi do jepen me koncension, do hidhet tender, por unë mendoj se tenderi është marrë.
Unë do i kërkoja drejtësisë që të marrë që nga fillimi dhe të verifikojë që te VKM që është e paligjshme, se nuk mund të shpronësosh prona, për të ndërtuar prona private.
Drejtësia të hetojë vendimet e bashkisë dhe qeverisë. Nuk përbën interes publik ndërtimi pallateve, nuk ndërtohen spitale, shkolla, reparte ushtarake.
Kompania e bashkisë ‘Tirana DC’, është një horllëk i madh.
Është kompania e formuar nga bashkia, Arbjan Mazniku dhe me kontratat që ka lidhur këtu për ndërtimin e tyre janë ndërtuesit lavatriçe e madhe, t’i marrin dhe t’i verifikojnë këto kompani si ka mundësi që ‘Tirana DC’ po ua jep këto tendera gjithë firmave problematike.
Këtu është një përfitim i madh lekësh. VKM thotë qartë të dëmshpërblehen pronaret, ndërsa ngarkohet bashkia e cila të jep një kontratë bakalli dhe thotë dhuron bashkisë Tiranë, pastaj pjesa tjetër është llafollogji se thoshte Erjoni më besoni mua.
Këto ka dy vjet që janë bërë këto gërmadha, inceneratorin e gjeni këtu. Të mos thellohet dëmi se janë të njëjtët njerëz që po gjejmë. Bashkia ka ndërruar ndërtuesin dhe projektin.
Bëhen dy vjet në 22 janar. 40 familje u nxorën në rrugë te “5 Maji”. Për dy vjet bashkia ka nxjerrë 200 milionë lekë bonus qiraje.
Pse ishte gjithë kjo luftë për të na nxjerrë dhe tani janë gërmadha. Bashkia na shembi shtëpinë me njoftim, pa vendim.
Bashkia parashikon prishjen e 300 banesave te njësia 8. Këta banorë po të dojë bashkia Tiranë, i sistemon në një pallat.
Le t’ia japin nga një hyrje te pallati që është bërë që mos të rrinë me qira dhe më pas t’i sistemoj.
Interesi i bashkisë janë 6 kullat e betonit te “5 Maji”.
Një i ri të cilit i është shembur banesë thotë se ka pasur banesa dhe te para ‘90-ës.
Ngjitur kemi pasur hallën tonë që ka pasur dhe tapi të kohës së Ramiz Alisë, ato prona janë blerë me lekë, nuk jemi zaptues, janë pronarë mbi 30 vite.
Gjyqtarja që na ka rrëzuar çështjen në shkallë të parë, është vlerësuar është bërë kryetare në Gjykatën e Lartë, Gentiana Muça.
Gjithë banorët e tjerë që janë në gjykatë i kanë vonuar, ndërsa tonën e ka bërë me shpejtësi dhe pasi mori vendimin e dhënë ndaj nesh u vlerësua.
Një zonjë banore e njësisë nr.4, tha se është ndërtuar pallati por se është në proces gjyqësor dhe askush nuk ka marrë hyrje.
Askush nuk ka hyrë. Na thanë që në përfundim të projektit do merrni pronën tuaj. Ne duhet t’ia dhuronim atij njëherë.
Sipas fjalëve këtu kanë hyrë njerëz që s’iu takonte fare të merrnin shtëpi, janë nga rrethe të tjera, shumica nuk kanë lidhje fare. Dyqanet i shesin vetë ndërtuesit.



