Protesta kundër ndërtimeve në zonën e Zvernecit dhe reagimeve të autoriteteve po gjen mbështetje edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Eksperti i IT-së, Besmir Semanaj, i cili jeton në Vjenë, deklaroi se ngjarjet e fundit në Zvernec kanë shërbyer si një pikë kthese për mobilizimin e qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
Sipas Semanajt, mungesa e transparencës në projektet e zhvillimit, ndërtimet pa leje dhe përdorimi i forcës nga policia kanë nxitur reagimin qytetar.
Besoj që Zverneci ishte pika që derdhi gotën, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Kuptohet që mungesa e transparencës për zhvillimet e fundit, ndërtimet pa leje dhe ajo që shumë qytetarë e konsiderojnë si dhunë të pajustifikuar nga policia, bëri që durimi i njerëzve të arrinte në kufijtë e tij. Kjo ka sjellë një reagim të gjerë dhe sheshet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të ndryshme të Europës e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet të mbushen me qytetarë që kërkojnë më shumë llogaridhënie dhe transparencë.
Ai bëri të ditur se të shtunën pritet të zhvillohet një protestë edhe në Vjenë, ku sipas tij do të marrin pjesë qindra shqiptarë që jetojnë në Vjenë dhe në qytetet përreth.
Në Vjenë pritet të zhvillohet një protestë të shtunën në orën 16:00. Nuk është një thirrje e bërë vetëm nga unë, por nga shumë shqiptarë që jetojnë këtu. Madje, qytetarë nga shtete fqinje do të udhëtojnë drejt Vjenës për t’iu bashkuar tubimit. Presim rreth 600 pjesëmarrës, një numër i konsiderueshëm duke pasur parasysh se komuniteti shqiptar në Austri nuk është aq i madh sa ai në Greqi apo Itali. Kjo nuk është një protestë partiake. Këtu bëhet fjalë për qytetarë me bindje të ndryshme politike, të bashkuar nga dëshira për të mbrojtur mjedisin dhe pasuritë e vendit.
Semanaj theksoi se protesta nuk është kundër zhvillimit ekonomik, por kundër mungesës së transparencës në projektet që prekin zonat natyrore dhe publike.
Kur ne kthehemi në Shqipëri, nuk duam të shohim toka të zëna apo resorte ku qytetarët nuk lejohen as të hyjnë. Duam një mjedis të mbrojtur dhe një zhvillim që respekton interesin publik. Askush nuk është kundër zhvillimit, por zhvillimi duhet të jetë transparent dhe në shërbim të qytetarëve. Ky është mesazhi i shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që po i bashkohen kësaj nisme.
Duke komentuar raportimet e disa mediave për protestën në Vjenë, Semanaj mohoi që tubimi të ketë organizatorë politikë dhe tha se gjithçka është organizuar përmes rrjeteve sociale.
Dua të theksoj se protesta nuk ka një organizator të vetëm. Janë të rinj e të reja, zonja dhe zotërinj që janë bërë bashkë përmes rrjeteve sociale. Vendimi për orën dhe vendin është marrë përmes sondazheve dhe diskutimeve online. Për këtë arsye, dua të përgënjeshtroj çdo pretendim se protesta është marrë peng apo drejtohet nga grupe të caktuara. Këto janë përpjekje për të hedhur baltë mbi qytetarët që po ngrenë zërin për një kauzë të thjeshtë dhe të qartë: mbrojtjen e Shqipërisë dhe të pasurive të saj natyrore.



