Raportet e Auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të bëra shkak shpeshherë për përfundimin e zyrtarëve të lartë në dyert e SPAK, janë kthyer në objekt debati këtë të martë në Komisionin e Ekonomisë.

Teksa shqyrtohej draft-rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të këtij institucionin që ka identifikuar me qindra abuzime në tendera e PPP, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsi, kërkon që KLSH t’i dorëzojë atij listën e institucioneve që do të auditojë, duke bërë kësisoj publik planin e punës.

"Plani duhej bërë publik para se të miratohej. Pse është audituar? Ta dimë kush institucion auditohet", tha Eduart Shalsi.

"Të shpallet publikisht plani. Se s’keni gjë për të fshehur. Do shkoj të kontrolloj dhe kaq", tha deputeti Erion Braçe.

Të tjera shqetësime për të cilat socialistët ndanin të njëjtat bindje, ishin edhe afatet e zgjatura të auditeve.

"Keni bërë auditime përtej afatit. Pse? Bëni raporte, pse", tha Shalsi.

"Kohëzgjatja, unë funksionoj me info, jo me spiunë. 10 muaj në një drejtori? Çfarë bën? 10 muaj? Çfarë bën? Apo drejtori, di drejtorin tjetër atje matanë", tha Braçe.

Por edhe mes mazhorancës, kishte ligjvënës që e konsideruan si të padrejtë dhe shqetësuese ndërhyrjen në punën e KLSH.

"Cenim i punës, kontrollit por edhe hetimit", tha Frrok Gjini.

"Nuk gjykohen institucionet e pavarura, s'i themi dot që është i korruptuar. Se i bie hajde ndryshojme ligjin. Ia heqim këto kompetenca", tha Alban Xhelili.

I vetmi deputet opozitar në Komision, Arbi Agalliu u shpreh me nota të buta kundrejt pretendimeve të mazhorancës, megjithatë kërkoi që të ndalohen presionet ndaj institucionit.

"Të shmangim diskutimet të cilat kanë të bëjnë me raste të veçanta, të cilat mund t'i nxjerrim edhe jashtë kontektit, por thelbi të mbetet te zbatimi i ligjshmërisë te KLSH. KLSH I pavarur. Të hiqet dorë nga presioni ndaj këtij institucioni", tha Agalliu.

Zëri i KLSH-së u bë edhe më i fortë në arenën politike dhe atë të drejtësisë, me denoncimet e institucionit pas gjetjeve dhe paralajmërimeve në Spitalin Onkologjik apo denoncimeve për pronat shtetërore që jepeshin duke shkelur ligjet. Nevojën për moscënim të pavarësisë së institucionit që drejton e shprehu pak ditë më parë vetë kreu i KLSh-së në një takim të thirrur nga kryeparlamentarja Spiropali në prani edhe të partnerëve ndërkombëtarë.