Policia e Tiranës ka nisur hetimin në gjendje të lirë për tre persona, pasi janë konstatuar duke kryer punime pa leje në katër vilat e tyre në zonën e Liqenit të Farkës. Ndaj tyre rëndon akuza e “Ndërtimit të paligjshëm”.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Farkë, në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me IKMT, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, kanë vijuar kontrollet në terren për evidentimin dhe goditjen e kësaj paligjshmërie.
Si rezultat i kontrolleve, në një kompleks vilash në Farkë, janë konstatuar punime pa leje (rikonstruksione), në katër vila, dhe në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit B. I., banues në Vorë, A. V., dhe E. T., të dy banues në Tiranë, për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.



