Pak ditë më parë, autoritetet malazeze njoftuan masat e reja të marra si pasojë e shtimit të rasteve pozitive me COVID-19.
Nga masat e marra, u prekën edhe pikat e kalimit kufitar në Han të Hotit dhe Muriqan.
Policia Kufitare në Shkodër njoftoi se drejt Malit të Zi kishin të drejtë të shkonin vetëm ata persona që kanë leje qëndrimi në atë vend, kanë prerë biletë udhëtimi për nga aeroporti i Podgoricës apo edhe ata që kanë rezervuar për të kaluar ditë pushimi.
Ndërkohë, ditën e sotme, Policia Kufitare njoftoi se të gjithë qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Malit të Zi, duke patur përgjigjen e tamponit të tyre, mund të lëvizin normalisht drejt vendit fqinj.
Ky rregull, sipas Policisë do të jetë i vlefshëm për javët në vijim, deri në një urdhër të dytë, nga e hëna në të premte ora 22:00.



