Operacioni antidrogë Shqipëri-Itali i finalizuar këtë të premte nga SPAK dhe Antimafia italiane, ka çuar në pranga zyrtarë të vendit tonë, si të përfshirë në grupin e trafikantëve.
Kështu, sipas burimeve mësohet se është arrestuar Saimir Kurti, drejtori i Zyrës së Punës në Kavajë. Ai rezulton i përfshirë në një plagosje me armë në vitin 2016. Asokohe Kurti nuk mbante asnjë post, ndërsa ngjarja ndodhi pas një sherri për në vend parkimi. Kurti plagosi me armë zjarri babë e bir, Eqrem dhe Erkid Kazazin, i cili ishte kryetar i Forumit Rinor të PD në atë kohë dhe një kalimtar të rastit. Kurti ka mbajtur postin e drejtorit të Zyrës së Punës në Kavajë edhe në vitin 2014, por u dorëhoq pas akuzave të PD se ai kishte ishte një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën e kontrabandës, për t’u emëruar sërish më pas në këtë detyrë.
Sakaq, në pranga është vënë edhe prokurori i Vlorës, Maksim Zota. Gjithashtu, është arrestuar Ilirjan Balla, ish-nën drejtor i Policisë së Vlorës, aktualisht shefi i sektorit kundër trafiqeve. Këta dy zyrtarë aktualisht janë në “arrest shtëpie”.

(Prokurori Maksim Zota)
Në kuadër të operacionit antidrogë Shqipëri-Itali janë lëshuar 38 urdhër-arreste, ku 28 janë arrestuar nga SPAK në Shqipëri, 10 të tjerë janë arrestuar nga aksionet e mëparshme. Bazat e grupit kriminal të goditur janë në Vlorë, Kavajës, Tepelenë, Lazarat dhe në Tiranë. Grupi kriminal vijonte trafikun e drogës edhe pas goditjes së dy operacioneve të mëparshme.



