
Rikthehen tensionet në Shkodër.
Rreth orës 20:00, administrata e bashkisë së Shkodrës ka zbarkuar në KZAZ numër 2, por mbështetës të Partisë Demokratike u nisën drejt një qendre votimi ku kishin mbërritur materialet zgjedhore nga KQZ.
Në shkollën "Shejnaze Juka" pati përplasje me policinë dhe qytetarët arritën të futeshin brenda dhe i vunë zjarrin njërës prej klasave.
Ndërhyrja e zjarrfikëseve bëri të mundur vënien në kontroll të flakëve.
* * *
Përplasje në KZAZ-të e Tropojës, Selenicës dhe Lezhës, tërhiqen materialet zgjedhore (VIDEO)
Mëngjesin e sotëm persona të paidentifikuar kanë hyrë në ambientet e KZAZ nr.9 në Pallatin e Kulturës në Bajram Curri të Tropojës, dhe kanë tërhequr që aty materialet zgjedhore.
Ata janë përplasur me policinë, ndërsa është thyer dera e pasme e kësaj KZAZ-je.
Bashkia e Bajram Currit kërkoi që drejtuesit e KZAZ-ve të dorëzonin materialet zgjedhore, duke zbatuar kështu dekretin e Presidentit Ilir Meta.

Po sot edhe bashkia e Selenicës ka kërkuar lirimin e ambienteve në pronësi të bashkisë që janë të zëna me materialet e procesit zgjedhor.
Kryetari Përparim Shametaj shprehet se do vërë në zbatim dekretin e presidentit Ilir Meta dhe theksoi se nëse Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor në Selenicë nuk lirojnë ambientet do ndërhyjë bashkia.
E ndërsa në bashkinë Tropojë KZAZ-ja u sulmua nga punonjësit e bashkisë që drejtohet nga PD-ja dhe militantët dhe në Shkodër vijojnë tensionet, duket se e njëjta gjë do të ndodhë pasdite në Lezhë, që mund të vijojë më pas në të gjitha bashkitë e drejtuara nga opozita.
Bashkia Lezhë përmes një letre drejtuar KZAZ nr. 13 në këtë bashki i vendos ultimatum duke i kërkuar lirimin vullnetarisht të ambienteve të shkollës 'Besëlidhja'. Nëse nuk do largohen deri në orën 16:00 të ditës së sotme, kryetari i bashkisë Lezhë Fran Frrokaj kërcënon se do të ndërhyhet. Gjithashtu ai bën thirrje edhe për heqjen e afishimit të listave të zgjedhësve.



