Anëtari i Komisionit të Rithemelimit të PD, Gent Strazimiri, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për të njohur Kuvendin e Berishës, duke u shprehur se cilido që refuzon ta zbatojë kalon kufijtë e çmendurisë. Duke folur në MCN Live Strazimiri i konsideroi manovrat e fundit ligjore të PD-së si debileske dhe dëshpëruese.
Për të mos e regjistruar do të duhet të gjente një arsye përse është anti-Kushtetuese. Nuk prisja ndonjë surprizë. Gjykata duhet ta kishte regjistruar pas 30 ditëve. Manvora e PD-së është dëshpëruese. Ti i ke bërë kërkesën gjykatës, ta ka regjistruar, dhe tani i thua të lutem ma çregjistro vendimin në favorin tim. Është debileske si zgjidhje, por me sa duket dëshpërimi çon në vendime të tilla”.
Sa i takon deklaratave të Gazment Bardhit, i cili paralajmëroi gjyqtarin se mund të përballet me burg, Strazimiri tha se i kupton efektet psikologjike që sjell bunkerizimi.
Efektet e bunkerizimit, vetmia në bunker sjell efekte psikologjike. E kuptoj gjendjen e rëndë ku ndodhen. Por nga një politikan i ri si Bardhi do të doja ta mbante veten dhe të mos kalonte në kanosje. Presioni ka qenë i madh ndaj gjykatës, duhet ta regjistronte brenda 30 ditëve. Kjo që ka thënë Bardhi është çmenduri! Vjen nga një periudhë e gjatë bunkerizimi, izolimi, mosaarsyeje. Nuk janë në natyrën e tij, sepse nuk është natyrë kërcënuese. Ky vendim përcakton që PD është e demokratëve. Do të uroja të ndodhte një reflektim nga uzurpatorët e selisë, që e bunkerizuan atë seli, të kuptojnë faktin që sot ka edhe një vendim juridikisht të sanksionuar që selia u përket demokratëve dhe askujt tjetër që e ka vendstrehim. Cilido që refuzon të zbatojë vendimin e gjykatës kalon kufijtë e çmendurisë. Moment më të mirë për të bërë një proces bashkimi, është sot momenti për të reflektuar dhe për të nisur bashkimin me vepra”.
Gent Strazimiri shtoi se demokratëve iu lind sot e drejta për të shkuar sërish në selinë blu.
Gjithçka fillon nga çlirimi i dyerve dhe dritareve, nga hekurat e shëmtuara për të penguar demokratët të futen në selinë e tyre. E kanë shëmtuar dhe përdhunuar këtë seli. Përpjekja për t’u fshehur pas gishtit sot merr fund edhe në formë ligjore. Besoj që po, vendimi i sotëm na jep të drejtë të shkojmë në seli”.



