Pak ditë më parë, Koorporata e Investimeve Strategjike njoftoi se është anuluar zyrtarisht gara për rijetëzimin e stadiumeve në Vlorë, Korçë dhe Durrës. Nisur nga kjo, në studion e MCN Informacion, arkitekti Gjergji Caca dhe urbanistja Entela Koja, analizuan problematikat që shoqërojnë projekte të tilla.
Caca u shpreh se përveç shpenzimit të miliona eurove, Korporata e Investimeve ka krijuar edhe kulturën e përjashtimit për ekspertët shqiptarë.
Problemi nuk është te nisma për të zhvilluar. Nëse ne marrim Anglinë, Gjermaninë apo Italinë, Francën apo Spanjën, të ardhurat nga futbolli sjellin të ardhura në ekonomi. Anglia e ka 0,3% të buxhetit. Duke parë që FSHF për vitin 2026 ka ofruar për klubet 3 milionë euro, i bie që ka edhe të ardhura.
Janë përjashtuar projektuesit shqiptarë. Ndaj nuk na bie rasti të projektojmë stadium. Nuk ka konsultime për planet urbanistike. KKT i bie që nuk paska asnjë ekspert ekonomie për të llogaritur nëse këto projekte dalin me fitim.
Korporata ka bërë një hap përpara sepse tani projektin ua ngarkon kompanive. “Selman Stërmasi” ishte edhe projekti, edhe investimi, edhe artisti venezuelian, paguheshin nga firmat e ndërtimit që morën pjesë në konkurs.
Ka 35 vjet që është ky lëmsh. Tani është pak më i sofistikuar, se nuk ka qenë me këto shifra.
Korporata jo vetëm ka dështuar. Ka shpenzuar. Miliona lekë të harxhuara për rroga, honorarë, evente, salla dhe çfarë ka bërë në fund? Një vrimë në ujë! Përveçse nuk ka realizuar asgjë, ka harxhuar shumë para. Është mbjellë kultura që ekspertët shqiptarë të rrinë te cepi, të marrin tasin e supës nëse ua sjell njeri dhe nëse nuk ua sjell, të mos flasin fare.
Çdo projektues i huaj që vjen në Shqipëri nuk ka faj. Janë të famshëm dhe kanë merita. Por të njëjtin shou që e bën këtu, nuk shkon dot ta bëjë në Danimarkë. E bën në Shqipëri, në Venezuelë, në Brazil.
Ndërkohë, arkitektja Entela Koja tha se Korporata e Investimeve po tregohet agresive me pronën publike.
Korporata e Investimeve me KKT kanë marrë një pozicion të çuditshëm.
Modeli i biznesit dhe studimi i fizibilitetit vijnë para se të bëhen këto investime. Kemi kosto të lartë projektimi. Me studiot e huaja, kostot janë të larta. Shpesh janë të shkëputura nga realiteti sepse merret shumë pak konsultim publik. Kompanive para se t’u jepet sheshi duhet t’u ishin bërë ca llogari. Kur ne arkitektët ankohemi se në këto projekte të mëdha zhvillimi, nuk merret në konsideratë një bazë e madhe ekspertësh që fund të fundit njohin vendin. Paradoksi është se këto studio kërkojnë një studio shqiptare për të firmosur.
Përvojat botërore kanë treguar se këto janë të domosdoshme. Kjo që të mos arrijmë në investime me vlera të mëdha.
Korporata e Investimeve është futur me agresivitet ndaj pronës publike. Ky proces duhet të ndalojë. Pronat publike tashmë janë shumë të limituara. Hapësirat publike apo ato të gjelbra janë gjithnjë e më pak. Është rasti që Korporata të bëjë një hap mbrapa dhe të rishikojë pozicionin e saj.
Ideatorët sjellin arkitektë të huaj sepse nuk e njohin vendin. U japin ca detyra të shkruara dhe u thonë do ta bëni kështu siç ju themi ne. Ai kur sheh buxhetin, thotë “pse jo”. Në fazën e konceptit tërhiqen. Kur vjen puna, zbërthimin e konceptit e bëjnë studiot shqiptare. Por kjo ka lidhje me drejtuesit, që duan t’i bëjnë gjërat siç i mendojnë vetë.



