Avokati Saimir Kumrija tha se procedurat ligjore, që nuk janë implementuar në mënyrën e duhur, kanë ndikuar në vonesën e zbatimit e marrëveshjes për transferimin e të dënuarave nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV ai thekson se marrëveshja fillestare parashikon transferimin e 200 të dënuarve, ku nëse zbatohet me sukses numri mund të rritet. Ai vë në dukje se shqiptarët s’janë nacionaliteti me përqindjen e kriminelëve më të lartë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ajo që vëmë re është pikërisht kalimi i dënimit nga Mbretëria e Bashkuar në procesin ligjor shqiptar. Pasi qytetari bën kërkesën që të shlyejë pjesën e dënimit në Shqipëri, duhet të kujtojmë se qytetarët që kanë të drejtën të kërkojnë këtë transferim janë ato që kanë një dënim mbi 4 vjet të mbetur. Në rastin kur bëjnë kërkesën për transferim, kjo kërkesë duhet shqyrtuar nga Ministria e Drejtësisë në Shqipëri dhe patjetër duhet të kalojë në proces gjyqësor, ku duhet të marrë një dënim ekuivalent për të njëjtin dënim në Shqipëri, në mënyrë që të bëhet një barazi dënimi, ose në rastin më të mirë të ketë ulje dënimi, nëse legjislacioni jonë parashikon për të njëjtën vepër penale një dënim më të ulët. Në asnjë rast s’është e pranueshme që nëse i njëjti dënim që ka kryer qytetari në Mbretërinë e Bashkuar, në Shqipëri mund të dënohet me dënim më të lartë, në këtë rast kjo normativë s’do aplikohet.
Një pjesë e mirë e vonesës është në këtë procedurë ligjore që akoma s’ka arritur të implementohen në mënyrën e duhur. Kemi ndjekur raste konkrete. Po ndiqen hapat ligjore në procedura që të merret njohja e vendimit, që të bëhet rivlerësimi i dënimit në Shqipëri, që të marrë dënim të barabartë në përputhje me legjislacionin shqiptar. Kushtet e burgjeve në Shqipëri s’janë të njëjtat ose të të njëjtit nivel si në MB. Por pjesa më e madhe e qytetarëve që kanë këtë dënim, dhe kanë mbi 4 vjet, kanë interesin primar dhe kryesor të kërkojnë kalimin e pjesës së dënimit në Shqipëri, ta kalojnë pjesën e mbetur të dënimit pranë familjarëve, ku mund të kenë vizita më të shpeshta dhe do kenë një riintegrim dhe rikuperim nga ana sociale. Është marrë në konsideratë një numër i limituar fillestar, dhe marrëveshja flet për 200 qytetarë. Kjo është një marrëveshje e parë që nëse do ketë sukses, gjykoj se do ketë rritje numrash. Të gjithë shpenzimet në funksion të transferimeve do paguhen nga qeveria e MB. Jemi një nga etnitë që marrin pjesë në puzzle-in e etnive në realizimin e krimeve, qoftë në nivelin e ulët apo të lartë, por në asnjë mënyrë s’jemi neve nacionaliteti me përqindjen e kriminelëve më të lartë se nacionalitetet e tjera”.



