
Afro 210 hakërime dyshohet të jenë kryer nga anëtarët e MEK në Manëz. Në një raportim për Mcn Live gazetari Arsen Rusta bën me dije se është sulmuar Ministria e Jashtme e Iranit, nga 3 IP të lokalizuara në Manëz. Në total janë mbledhur 50 terabajt të dhëna, që kanë bindur SPAK të kryejë një kontroll në kamp. Rusta bën me dije se në procedimin e SPAK përfshihet edhe akuza e rëndë e “provokimit të luftës”. Po ashtu mësohet se mjekësia ligjore ka dalë në përfundimin se vdekja e 79-vjeçarit në kamp, ka ardhur si pasojë e arrestit kardiak, dhe jo dhunës policore. “Bëhet fjalë për 210 hakërime por gjithashtu një sulm kibernetik ndaj Ministrisë së Jashtme të Iranit të bërë nga kampi ‘Ashraf 3’ në Manëz. Këto janë pretendimet e SPAK, por gjithashtu edhe iranianëve të cilët disa herë kanë njoftuar shtetin shqiptar, po ashtu edhe policinë e Krimin Kibernetik, merrni masa pasi po sulmohemi nga 3 IP të lokalizuara gjeografikisht në Manëz. Verifikimet e kryera kanë rezultuar se kanë qenë tre kompani interneti që kanë furnizuar kampin në Manëz. Janë plot 50 terabajt të dhëna të marra nga sulmet kibernetike dhe kanë bindur SPAK dhe GJKKO-në që të bëjë një kontroll në kushtet e flagrancës, duke sekuestruar qindra kompjutera, por gjithashtu edhe 17 ambiente të konstatuara me prani të disa kompjuterëve të përdorur si servera për të kryer sulmet kibernetike. Procedimi penal i nisur nga SPAK është i një akuze të rëndë, jo vetëm ndërhyrje e paligjshme në të dhënat kompjuterike, hakerim, por sipas tyre edhe neni neni penal i provokimit të luftës. Këto veprime sipas autoriteteve shqiptare kanë provokuar një luftë me Iranin. Për këtë është bindur gjykata duke dhënë një mandat kontrolli. Po ekzaminohen provat materiale të mbledhura në ‘Ashraf 3’", tha Rusta. "Mjekësia ligjore ka faktuar se vdekja e 79-vjeçarit, të pretenduar nga MEK se ka ardhur si pasojë e sulmit dhe goditjes nga forcat speciale, ka ardhur nga arresti kardiak. Kemi 6 persona të proceduar penalisht për kundërshtimin e punonjësve të policisë. Do duhen javë e muaj, pse jo edhe vite, për t’u ekzaminuar në tërësinë e tyre. Edhe gjuha e përdorur, është iraniane, që ndoshta i vështirëson hetimet, por një ekzaminim ka nisur. Do duhet të vendosë gjykata nëse do kemi dëbimin e një ose disa prej tyre, ose do kemi një situatë tjetër. SPAK ka urdhëruar policinë dhe anti-terrorin për masa të shtuara për sigurinë”, shtoi ai.



