
Gjatë protestës së opozitës mbrëmjen e sotme, kryedemokrati Sali Berisha u godit me ujë me presioni nga autoboti në momentin që bashkë me protestuesit po kalonin te kryqëzimi i Radio Televizionit Shqiptar.
Goditja me ujë e rrëzoi në tokë liderin e opozitës, duke bërë që për 15 minuta të qëndrojë në shtëpi në gjendje jo të mirë, para se të vijonte marshimin.
Më tej deputetët Flamur Noka dhe Luçiano Boçi u përplasën me policinë, duke e akuzuar se kanë dëmtuar kryeopozitarin.
Noka i akuzoi efektivët se po i shërbejnë krimit dhe se janë shndërruar në bandë.
Pse funksiononi si bandë, nuk funksiononi si institucion kushtetues. Keni marrë urdhër, keni goditur direkt në sy liderin e opozitës. Jo të gjithë ju, po një nga ju. E kemi të filmuar, do e paguani. Do ta paguani shtrenjtë.
Nuk jeni shërbëtorë të ligjit, jeni mercenarë të krimit të organizuar. Atij i shërbeni. Nuk e ka të gjatë sepse nuk mund të rrijë më ky kriminel në krye të qeverisë. Hoqët një narkotrafikant, keni vënë një vrasës politik në krye të policisë sot.
Ndaj mos merrni urdhra prej tyre sepse gjithsecili prej jush ka familje. Edhe juve taksa Rama 2200 u ka shkuar, jo vetëm qytetarëve të thjeshtë. Edhe për ju çmimet e ushqimeve kanë shkuar në ekstrem. Ndaj mos u bëni mercenarë.



