Zvicra mund të quhet “e sëmura e Europës”, për shkak të situatës që ka krijuar atje koronavirusi. Në Zvicër, vendet në kujdesin intensiv janë praktikisht të gjitha të mbushura. Dje në Zvicër janë regjistruar 128 vdekje në 24 orë, ndërsa pacientët që kanë rezultuar pozitivë për virusin janë mbi 100 mijë. Por më alarmantja është situata në kujdesin intensiv.
Mbrëmjen e së martës, Shoqata Zvicerane e Mjekësisë Intensive (SSMI) lëshoi një deklaratë dramatike në të cilën thotë se "876 shtretër të kujdesit intensiv të çertifikuar, të cilat normalisht janë në dispozicion në Zvicër për kujdesin e të rriturve, aktualisht janë të gjithë të zënë”.
Anestezistët zviceranë specifikojnë se "skuadrat po punojnë me përkushtimin më të madh për të rritur disponueshmërinë", por shtojnë se "është shumë e rëndësishme të kufizohet përhapja e pandemisë dhe shtyrja e ndërhyrjeve dhe trajtimeve jo urgjente".
Ndërkohë, në vend, provokimi i nisur në tabloidin Blick, nga ekonomisti Willy Oggier, i cili i propozoi qeverisë të vendosë rregulla që parandalojnë aksesin në kujdesin intensiv për ata që nuk e besojnë ekzistencën e virusit ose ata që nuk respektojnë masat e kontrollit të pandemisë, ka ngjallur shumë debat.



