Një dekadë pas një serie vetëvrasjesh të përsëritura në mesin e punonjësve të France Telecom (që tani quhet Orange), ka ardhur vendimi i drejtësisë për gjigandin francez të telefonisë. Gjykata e Parisit ka dënuar grupin dhe drejtuesit kryesorë të kohës, një dënim që është dhënë për herë të parë ndaj një kompanie të madhe në Francë.
Didier Lombard, i cili ishte drejtor i përgjithshëm nga 2005 deri në 2010, u dënua me një gjobë prej 15 mijë eurosh, por mbi të gjitha me një vit burg (tetë muaj dënim me kusht). Të njëjtin fat ka pasur edhe Louis-Pierre Ëènes, ish-numri 2, dhe Olivier Barberot, asokohe drejtor i burimeve njerëzore. Për ta janë dhënë të njëjtat dënime që kishte kërkuar akuza. Për më tepër, e gjithë kompania është dënuar “abuzim emocional nga ana e institucionit”: ajo duhet të paguajë gjobë prej 75 mijë eurosh, por dënimi do t’i hapë rrugën një serie dëmshpërblimesh të mundshme, sigurisht më shumë sesa 39 çështjet e analizuara gjatë gjykimit. Nëntëmbëdhjetë prej këtyre punonjësve në kohën kur ka ndodhur skandali u vetëvranë pasi u margjinalizuan në zyrat e tyre dhe u mbajtën nën presion të vazhdueshëm për të dhënë dorëheqjen. Të tjerët janë punëtorë që kanë tentuar vetëvrasjen ose që kanë rënë në depresion të rëndë. Të gjithë këta njerëz, që jetojnë ende, korrikun e kaluar shkuan në gjyq për të treguar përvojën në France Telecom.
“Orange”, e cila ka pasuar “France Telecom” ka njoftuar se nuk do të apelojë kundër dënimit dhe është gati të paguajë kompensimin. Megjithatë, Lombardi do të apelojë. Ai është ideatori i disa planeve ristrukturimi, veçanërisht Next dhe Act, të cilat do të fusnin France Telecom në epokën e dixhitalizimit (2007-2008). Në vitin 2004, shteti francez, i cili është akoma aksioneri kryesor i grupit, kishte rënë nën 50% të aksioneve në kapital, duke e privatizuar në mënyrë thelbësore kompaninë. Gjërat ndryshuan dhe menaxherët vendosën të ristrukturonin France Telecom, duke shkurtuar 22 000 vende pune. Në një takim të mbyllur me drejtuesite kompanisë, Lombard pati thënë se "France Telecom nuk do të jetë më klloçka që ngroh vezë" dhe se punonjësit e panevojshëm duhej të dilnin "nga dera ose dritarja". Këto deklarata kanë ndikuar shumë në vendimin e gjykatësit.
Sipas sindikatës CFE-CGC të Orange, dënimet duhet të "shërbejnë si shembull në mënyrë që një politikë e tillë e dhunës sociale të mos mund të riprodhohet më". Sipas gjykatësve, drejtuesit e France Telecom "vunë në zbatim masa për të degraduar kushtet e punës së punonjësve dhe për të shpejtuar largimin e tyre nga kompania, duke krijuar një klimë ankthi”. / La Stampa /



