
Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar ka rënë në prangat e drejtësisë shqiptare. Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht se është finalizuar me sukses një tjetër fazë e operacionit të koduar “The Wanted”, duke sjellë në Shqipëri shtetasin A. Gj., 29 vjeç, i lindur dhe banues në Mat.
I riu u ekstradua nga Frankfurti i Gjermanisë drejt vendit tonë, falë një bashkëpunimi të ngushtë mes specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të Interpol Wiesbaden.
Shtetasi A. Gj. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), në maj të vitit 2024, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Pas arrestimit të tij në Gjermani, procedurat e ekstradimit u përmbyllën me sukses dhe 29-vjeçari tashmë i është dorëzuar autoriteteve të drejtësisë shqiptare për t'u përballur me akuzat.



