Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë sot informacionet paraprake mbi mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale, më 6 mars, në gjashtë bashki të vendit.
Ai ka njoftuar se me shumë mundësi në Bashkinë Vorë do të përdoret sistemi i votimit elektronik.
Celibashi u shpreh se kostoja e këtyre zgjedhjeve është parashikuar të shkojë deri në 180 milion lekë.
“Kemi bërë një vlerësim paraprak të kostos dhe në fund të ditës së sotme do ta përfundojmë, janë rreth 180 mln lekë kosto. Po punojmë, edhe pse koha është e shkurtër. Do të bëjmë edhe një sqarim, edhe për këto zgjedhje të aplikohet identifikimi elektronik. Në një konsultim me partitë do të vendosim në lidhje me zhvillimin, aplikimin e votimit elektronik në bashkinë e Vorës. E kemi një eksperiencë në Tiranë. Qëllimi është ta aplikojmë votimin elektronik edhe në zgjedhjet e bashkisë Vorë, por do ta diskutojmë me partitë politike” , tha ai.
I pyetur për gjendjen e PD-së se cilat kandidatë do të pranojë KQZ-ja, Celibashi tha se kur të bëhet regjistrimi i partive do të vijë edhe përgjigja zyrtare.
“Partia që kërkon të regjistrohet duhet të paraqesë një sërë dokumentesh , një prej tyre nga Gjykata e Tiranës që përmban të dhënat mbi partinë politike, përfshirë emër, organet drejtuese dhe organet kompetente”, tha ai.
Celibashi shtoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë komunikim me asnjë parti.
“Deri në momentin që flasim nuk kemi asnjë komunikim me asnjë parti, por sikur e thashë, natyrshëm mund të them diçka, por duhet ta kem sjelljen korrekte, institucionale, dhe vetëm për këtë shkak nuk kam droje për të dhënë opinionet e mia. Kur të paraqiten kërkesat për regjistrimin e partive, do të jetë përgjigja e pyetjes suaj, që në një lloj mënyre ajo mund të jetë e ditur edhe tani, si për ju edhe për mua” shtoi ai.
Sa i përket informacioneve teknike ai njoftoi se në bashkinë Dibër ka një KZAZ-së ku do të zhvillohen zgjedhjet dhe do të votohet në 101 qendra votimi.
Në Shkodër janë katër KZAZ dhe do të ketë 250 qendra votimi. Në Vorë është një KZAZ dhe 44 qendra votimi
Ndërsa në Lushnjë janë dy KZAZ dhe 157 qendra votimi. Durrësi do të ketë katër KZAZ-ë dhe 350 qendra votimi.



