I vënë në qendër të akuzave të opozitës si kolonel i trafikut të drogës dhe për lidhjet e forta me kushëririn e tij Moisi Habilaj, arrestuar dje në Itali, ka folur për herë të parë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Në një deklaratë për mediat Tahiri tha se çdo ditë të punës time kam luftuar për të vërtetën pavarësisht çmimit të saj.
“Sado e madhe qoftë gënjeshtra apo abuzimi, e vërtetë vlen më shumë. Kam mbajtur detyrën e ministrit duke mos u dorëzuar nga sulmet e kundërshtarëve përballë”, tha Tahiri.
Gjatë fjalës së tij ish-ministri deklaroi se kjo e sotmja është ditë jo e lehtë.
“Sot është një ditë jo e lehtë në raport me veten, familjne dhe tim bir. Por jo e lehtë edhe për ata që më njohin dhe që besojnë tek unë. Dy kriminelë kushërinjtë e mi të brezit të 10 guxuan të përmendin emrin tim, por unë menjëherë do të kërkoj nga prokuroria pa përfituar nga as njëlloj imuniteti të verifikohet gjithçka”, tha Tahiri.
Por Tahiri pranoi se gafa ime më e madhe është se kur shita makinën në vitin 2013 duhet të verifikoja se kujt po ja shisja.
“Gafa ime më e madhe është se unë i shita makinën time më 2013 pa menduar të verifikoj se kujt po ja shihja. Unë mbaj përgjegjësi për këtë, dhe për tej kësaj nuk kam pasur asnjë lloj lidhje”, tha deputeti socialist.
Tahiri s’ka kërkuar gjë tjetër veçse të zbardhet e vërteta. “S’kam ndërmend ti shtrij kujt dorën, jam gati për çdo hetim do luftoj vetë që çdo e vërtetë të zbardhet deri në fund”.



