
E sotmja nuk ka qenë një ditë e mirë për ish-presidentin gjeorgjian Mikhail Saakashvilli. Ai kërcënoi se do të hidhej nga lartësia në Kiev, ndërsa policia ukrainase po kontrollonte apartamentin e tij.
Agjentët e policisë hynë në apartamentin e Saakashvili-t në qendër të Kievit mëngjesin e sotëm. Ata nisën kontrollet, ndërsa vetë ish-presidenti u ngjit në tarracën e pallatit dhe kërcënoi se do të hidhej.
“Ata duan të më rrëmbejnë sepse jam ngritur për të mbrojtur popullin ukrainas”, iu drejtua ai turmës që ishte mbledhur në rrugë.
Saakashvili u zbrit pak minuta më vonë nga tarraca e pallatit, falë ndërhyrjes së forcave të sigurisë.
Saakashvili është në hetim për bashkëpunim me grupe kriminale dhe mbulim të aktivitetit të tyre, bëri të ditur Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës. Kjo vepër mund të dënohet me të paktën 5 vjet burg.
Në vitin 2015, Saakashvili hoqi dorë nga shtetësia gjeorgjiane pasi pranoi ofertën për t’u bërë guvernator i Rajonit të Odesës me urdhrin personal të presidentit Petro Poroshenko.
Por Saakashvili u dorëhoq në nëntor të vitit 2016 dhe Poroshenko u kujdes personalisht që atij t’i anulohej pasaporta e re.
Që atëherë ish-presidenti i Gjeorgjisë ka organizuar disa protesta antiqeveritare, duke kërkuar rrëzimin e Poroshenkos.
Ndërkohë, Gjeorgjia kërkon ekstradimin e tij, pasi atje është nën akuzë për korrupsion. / RT /



