Nga Zamir Alushi
“Shqipëria nuk është si Maqedonia”, -çfarë kishte nën rreshta vërejtja e raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Flekenstein, drejtuar opozitës dhe pse “i dogji” kjo Lulzim Bashës?
Ai na paralajmëron se do të mbetemi pa qeveri pa president, por të vazhdojmë kështu. Emond Spaho e sulmoi në Facebook si”të njëanshëm”, ndërsa Basha e përmendi në çadër, madje akuzoi diplomatët e BE-së dhe SHBA-së si mafiozë.
Më herët, Basha vrapoi tek Presidenti Nishani për të thirrur tryezën e partive, pikërisht tani, megjithëse kishte ditë që i shmangej takimit me kryeministrin Rama. Nuk është sekret se në Shqipëri, përmes rolit të politikanëve kryesorë, krahas agjendës kombëtare veprojnë edhe fuqitë e huaja mike apo jodashamirëse ndaj Shqipërisë. Kjo luftë gjeopolitike ndodh në të gjithë rajonin.
Rusia përmes agjentëve influentë në qeverinë e Maqedonisë ka destabilizuar vendin; në Malin e Zi nuk i mjaftoi opozita me përkatësi serbe, por u përpoqën të vrisnin presidentin; në Greqi ka një dashuri ortodokse për Rusinë; në Turqi ka afrim të Erdoganit me Putinit; në Serbi po armatohet ushtria me armë ruse; Sllovenia është në garë me Serbinë për përfitime ekonomike nga Rusia.
Pra, Rusia po josh me gjithçka ka në dorë. Janë të gjitha shenjat se ish-presidenti Berisha dhe ish- ministri Lulzim Basha, tashmë kryetar i opozitës, po flirtojnë me Rusinë. Për t’i shpëtuar Vetingut po shkaktojnë një rrëmujë që dobëson faktorin shqiptar, pikën mbështetëse të SHBA dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Pavarësisht të drejtës legjitime që ka opozita për të protestuar me të gjitha mënyrat kushtetuese, momenti i zgjedhur dhe stërgjatja e aksionit politik me çadër, dëmton jo vetëm interesat kombëtare, por edhe ato të Aleancës së Atlantikut, ku ne bëjmë pjesë. Dy politikanë të rëndësishëm, miq të Shqipërisë dhe të shqetësuar për këtë që po ndodh, vijnë këtë javë në Shqipëri.
Ata janë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel dhe senatori amerikan John McCain, një nga zërat e fuqishëm kundër ndërhyrjes së politikës ruse në Ballkan. Mesazhi i tyre mund të jetë përfundimtar dhe mund t’i kthejë Bashën dhe Berishën në “karta të djegura”. Prandaj, Basha po merr kthesën ose po përpiqet të japë këtë përshtypje para ardhjes së tyre.



