
Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, zbardh shkresën nëpërmjet së cilës delegacioni i Bashkimit Europian shpreh shqetësim për dy iniciativat e Partisë Socialiste lidhur me lustracionin. Në shkresën e delegacionit të BE, kërkohet që të merret opinioni i Komisionit të Venecias. Në dokumentin drejtuar kryesuese së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka nga ambasadorja e BE në vendin tonë Christiane Hohmann thuhet se: “Nismat për lustracionin duhet të respektojnë standardet europiane të të drejtave të njeriut dhe ligjin”. “Në letër iu bëhet me dije që kjo çështje lidhet me shtetin e së drejtës dhe të drejtave të njeriut, dhe si e tillë do të duhet që ky komision ti referohet standardeve që ka vendosur Komisioni i Venecias në dy opinionet të tij. Në opinionin e vitit 2019 për ligjin e lustracionit të asaj kohe dhe në opinionin e vitit 2018 kur është propozuar vetingu në politikë dhe kërkohet që për të dyja iniciativat, jo vetëm të mbahet në konsideratë, por të sigurohet që janë përmbushur standardet e Komisionit të Venecias. Si e kuptoj unë shqetësimin e delegacionit të BE, kërkesa e tyre është që para se të ecim me iniciativa të tilla që prekin shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, do të duhet patjetër që ne ti drejtohemi Komisionit të Venecias për një verifikim të këtyre nismave”, tha Bardhi. Nismat për lustracionin janë propozuar nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe Klotilda Bushka, në të cilat kërkohen ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe ligjin për funksionimin e Autoriteteve të Dosjeve. Gjithçka duke kërkuar verifikimin e detyrueshëm të lidhjeve me ish-Sigurimin e Shtetit të gjithë atyre personave që kandidojnë për kryebashkiakë apo deputetë. Prezantimi i shkresës së ambasadores së BE u prezantua nga Bardhi gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit parlamentar të Ligjeve. Demokratët pretendojnë se ajo që është gjykuar njëherë nuk mund të ridiskutohet në një organ tjetër administrate dhe se gjykata mund të shqyrtojë një kërkesë e cila nuk qëndron. Demokrati Oerd Bylykbashi tha se guida e Komisionit të Venecias është e mjaftueshme për të ecur përpara, por shtoi se kërkohet një mendim tjetër nga Komisioni i Venecias, në mënyrë që ligji për figurën e zyrtarit të funksionojë.



