
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar skemën e re të rritjes së pensioneve, e cila parashikon shtesa mujore përtej indeksimit aktual, duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm.
Sipas planit të qeverisë, deri në vitin 2029, pensioni mesatar urban pritet të arrijë në 400 euro, nga 270 euro që është aktualisht.
Megjithatë, kjo nismë është pritur me skepticizëm nga pensionistët.
Aktivisti dhe pensionisti Vladimir Dushniku, i ftuar në emisionin “MCN Informacion”, e ka quajtur këtë skemë një “tallje” dhe “mashtrim” nga ana e kryeministrit Rama.
Për mua dhe për të gjithë pensionistët, ata 537 mijë pensionistë që marrin më pak se 200 euro në muaj, që janë mbi 70% e të moshuarve në Shqipëri, kjo është një spektakël i radhës, një karamele e re, por në formë tjetër.
Me 200 € në muaj nuk mbulohen as ilaçet dhe shpenzimet mjekësore, duke akuzuar qeverinë për shpërfillje ndaj nevojave reale të kësaj shtrese të popullsisë.
Me pensionistët po luhen ‘Karnavalet e Rios’. Nga ai bonusi i famshëm i çdo fundviti, tani na mashtrojnë me një ‘rritje mujore’.
Është si t’i japësh një karamele fëmijës, propagandë e pastër. Rama është mjeshtër i mashtrimit, i propagandës, që të lë me barkun bosh.
Dushniku kërkoi që të marrë fund, siç tha ai, “tallja me pensionistët”, duke e cilësuar këtë situatë si një “gjenocid social” ndaj të moshuarve.
Duhet ti jepet fund talljes me pensionistët, për mua të gjitha qeveritë sidomos ky po bën gjenocid, ne plot kuptimin e fjalës, në bazë të përcaktimit që bën Konventa e te Drejtave te njeriut, përkeqësimi i jetës së njeriut ky është 200€ që bën ai.
Në çdo protestë kemi bërë të njëjtën pyetje: a janë të mjaftueshme 200 euro për një të moshuar që shpenzon shumicën e të ardhurave për ilaçe, barna e trajtime mjekësore? Përgjigjja është e qartë – jo,” – përfundoi Dushniku.



