E moshuara nga qyteti i Beratit, Hëna Caka, është sorollatur plot pesë vite deri në marrjen e legalizimit të një shtese prej vetëm 18 metra katror në katin e parë të një pallati pesëkatësh.
Ajo rrëfen se thuajse çdo javë i është drejtuar zyrës së ALUIZNI-t në Berat, por përsëri nuk mori zgjidhje problemi i saj.
E lodhur nga premtimet, pa shpresë për zgjidhjen e problemit, e moshuara vendosi që të ankohet te Kryeministri Edi Rama në dëgjesën publike që zhvilloi në Berat mbrëmjen e së hënës, ndërkohë që mesditën e së martës mori në dorë legalizimin aq shumë të dëshiruar.
Në një intervistë për “Panoramën”, ajo thotë se u ankua për shërbimin e ALUIZNI-t pasi nuk gjeti rrugëzgjidhje tjetër. “Nuk kisha asnjë rrugëzgjidhje tjetër. Në vitin 2012, pasi jemi kthyer nga Turqia ku jetuam pas vitit 1997 bëmë kërkesën për legalizimin, pasi bëmë dokumentet e tjera për ndërtimin në fjalë. Shtesa ime e vogël nuk i prishte punë askujt. Pasi kishim dokumentet e tjera që duheshin, u bëmë gati që ta legalizojmë sepse unë doja që t’ia lija djalit dokumentet në rregull. Dhe kështu bëmë, në vitin 2012 dorëzuam dokumentet dhe ishim në pritje të certifikatës së pronësisë. Por, pesë vite jo vetëm që nuk e mora legalizimin, por jam endur nëpër zyra. Kam shkuar gati çdo javë te Zyra e Legalizimeve në Berat. Kërkoja takim me drejtorin, me specialistë dhe askush nuk më jepte një shpjegim se përse nuk po bëhej legalizimi im. Nën pretendimin se komshiu që jeton në katin sipër meje ankohej për ndërtimin, gjë që s’ka se si të jetë e vërtetë, pasi shtesa është në katin e parë dhe nuk prek askënd, është vetëm një objekt prej 18 metrash, nuk ma bënin legalizimin. Më kanë lodhur aq shumë sa pak muaj më parë iu drejtova me letër Drejtorit të Përgjithshëm të Legalizimeve, që më ktheu përgjigje se do ta shikonte problemin. Një vit më parë i jam drejtuar Avokatit të Popullit dhe ai më premtoi se do ma zgjidhte këtë çështje”, thotë ajo.
Ajo rrëfen se është kontaktuar nga vetë drejtori Sino, i cili I ka dorëzuar legalizimin 24 orë pas takimit ku ajo bëri denoncimin. “Të martën në mesditë më merr në telefon vetë drejtori Përparim Sino, të cilin unë e kam takuar me qindra herë, nuk e mbaj mend se sa herë dhe më priti në zyrën e tij. I dhashë fotokopjen e pagesës që kisha bërë në bankë dhe mora legalizimin që shihni ju”.
Gruaja e moshuar thotë se i vjen keq për shkarkimin e drejtorit nga puna. “Në fakt më tha djali dhe nusja në shtëpi që drejtori është shkarkuar dhe me erdhi keq sepse nuk doja që gjithë kjo të ndodhte për shkakun tim, por unë nuk kam asnjë faj. Unë kërkoja të drejtën time dhe e mora, nuk i kam faj as drejtorit, askujt tjetër. Nëse do ta kisha marrë legalizimin nuk kisha përse të ankohesha dhe e gjithë kjo nuk ndodhi për fajin tim, por për shkak të sorollatjeve pa fund”.



